Përgatitjet për balotazhin, Osmani flet me Radoniqin

Përgatitjet për balotazhin, Osmani flet me Radoniqin

Aktuale October 31, 2025 - 19:49

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.

Në njoftimin e Presidencës, Osmani thuhet se është njoftuar nga Radoniqi lidhur me procesin e administrimit të zgjedhjeve lokale, si dhe me përgatitjet që KQZ-ja po bën për mbajtjen e balotazhit më 9 nëntor.

“Në këtë kontekst, u diskutua edhe për funksionimin e përgjithshëm të KQZ-së, si dhe për punën që po bëhet për përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve zgjedhore, në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe profesionalizmit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, sot Osmani mblodhi në takim liderët e partive politike, një javë pasi Kuvendi s’e votoi qeverinë e propozuar nga Albin Kurti.

Diskutimet, që u zhvilluan në Presidencë për mbi një orë, kishin për qëllim konsultimet për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.

Subjektet ish-opozitare kërkuan zgjedhje të reja, Osmani tha se e ka detyrim që një proces i tillë të evitohet e në anën tjetër mandatari që dështoi, u largua pa folur.