Sallahu pjesëmarrës në Forumin BE–Ballkan Perëndimor për Drejtësi në Bosnjë

Sallahu pjesëmarrës në Forumin BE–Ballkan Perëndimor për Drejtësi në Bosnjë

Aktuale October 31, 2025 - 22:22

U.D. në detyrë i ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, po merr pjesë në “EU–Western Balkans Ministerial Forum on Justice and Home Affairs” që po mbahet në Bosnje dhe Hercegovinë, ku po marrin pjesë ministrat e drejtësisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Sallahu theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai vlerësoi se reformat në drejtësi në Kosovë po japin rezultate të matshme dhe të njohura ndërkombëtarisht:

"Sipas Transparency International, Kosova ka përparuar me 31 vende gjatë viteve të fundit, duke u ngjitur nga vendi i 104-të në të 73-in në vitin 2025. Në Indeksin Global të Ligjit dhe Rendit të Gallup, Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë me 94 pikë nga 100. Po ashtu, sipas World Justice Project, Kosova është e dyta në Ballkanin Perëndimor dhe e 57-ta në botë me rezultat 0.56", u shpreh Sallahu duke rikujtuar arritjet e Kosovës gjatë këtij viti.

Këto vlerësime, së bashku me ato të Freedom House dhe Komisionit Evropian, tha se konfirmojnë përmirësime të qëndrueshme në sundimin e ligjit, qeverisjen demokratike dhe besimin publik në institucione.

Sallahu theksoi se Kosova po zbaton reforma të thella për konsolidimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që do të mundësojnë procesin e Vetting-ut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, duke garantuar integritet, transparencë dhe llogaridhënie në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.

Ai nënvizoi rëndësinë e Pakos Ligjore Kundër Korrupsionit, e cila ka krijuar Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, si mekanizëm të pavarur që synon kthimin e pasurisë së përfituar nga korrupsioni në buxhetin e shtetit dhe në dobi të qytetarëve. Po ashtu, përmendi forcimin e Task-Forcës Anti-Korrupsion, Ekipit të Përbashkët të Hetimeve, si dhe zbatimin e Ligjit për Sinjalizim, që nxit raportimin e praktikave korruptive dhe mbron sinjalizuesit.

Në vijim, Sallahu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të thelluar me Eurojust, Europol dhe Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), në mënyrë që rastet ndërkufitare të trajtohen në mënyrë efikase dhe të harmonizuar me standardet evropiane. Ai theksoi se Kosova e konsideron forcimin e sundimit të ligjit si mision nacional dhe bazë të zhvillimit demokratik, sigurisë dhe integrimit evropian të vendit.

Në këtë forum, ministrat e drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor po diskutojnë mbi përparimin në sundimin e ligjit, bashkëpunimin gjyqësor dhe sigurinë, në kuadër të agjendës së integrimit evropian të rajonit.