Brenda një muaji rreth 8 mijë qytetarë të Prishtinës janë vaksinuar kundër gripit sezonal
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, në një intervistë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se që nga 1 tetor kur ka nisur sezoni i vaksinimit për vitin 2025–2026 kundër gripit sezonal e deri më tani janë administruar rreth 8 mijë doza.
Ai ka theksuar se vaksina e këtij viti është katër komponentësh dhe për herë të parë nuk rekomandohet për personat që kanë alergji në antibiotikun gentamicinë.
“Me 1 tetor të këtij viti kemi filluar sezonin e ri të vaksinimit për vitin 2025–2026, vaksinë e cila është katër komponentëshe, është katër valente që nënkupton që në kuadër të saj kemi dy shtame të grupit A të virusit dhe dy të grupit B, që për popullatën si informacion nënkupton që nëpërmjet një vaksine i marrin katër vaksina të llojeve të ndryshme. Është vaksinë e njëjtë sikur e vitit të kaluar por nga kompani tjetër. Përpos kundër indikacioneve që kanë qenë edhe me të tjerat, që do të thotë që personat që kanë alergjinë në vezë, pupla, në mish të bardhë ose proteinë të mishit të pulës, sivjet për herë të parë për këtë vaksinë kanë thënë që nuk është mirë ta marrin ata persona që realisht kanë alergji në gentamicinë”, tha Hashani.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë administruar afër 8 mijë doza nga 11 mijë sa janë alokuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Realisht numri i vaksinave nga 1 tetori i 2025 diku e arrin afër 8 mijë doza, nga 11 mijë doza sa i kemi të alokuara nga ISHKPK. Mirëpo edhe pse duket numri i madh që ka shkuar, kjo zakonisht kemi një ngritje të lehtë të interesimit, por muaji tetor është zakonisht më sensibilizues edhe më tepër qytetarë tanë vijnë edhe vaksinohen të kategorive të ndryshme. Numri është pak a shumë pak më i lartë se në të njëjtën kohë të vitit të kaluar, e arrin 8 mijë doza. Doza tjera qoftë se mendohet se janë të pakta këto vaksina mund të jepen deri në verën e vitit të ardhshëm dhe në çdo kohë që ne i harxhojmë kemi premtime nga IKSHPK-ja se ne mund të furnizohemi, mirëpo për shkak të ruajtjes së dozave ne kemi marrë vetëm dozat që zakonisht i kemi shpenzuar gjatë vitit”, tha ai.
Sipas Hashanit, interesimi më i madh për vaksinim po vërehet tek të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna, ndërsa këtë vit është rritur ndjeshëm edhe numri i punëtorëve shëndetësorë të vaksinuar.
“Kategoritë e njerëzve ose personave që vaksinoheni më shumë janë kategoritë e personave të moshuar, ata të cilët kanë sëmundje kronike, gratë shtatzëna, kemi edhe rini që janë vaksinuar. Për herë të parë ka filluar edhe sensibilizim te popullata. Edhe numri i punëtorëve shëndetësor sivjet është më i madh, ata të cilët janë vaksinuar në lidhje me vaksinat e gripit sezonal”, tha ai.
Hashani ka theksuar se vaksina është thelbësore për forcimin e imunitetit dhe parandalimin e rasteve të rënda të gripit, sidomos te personat me sëmundje kronike.
“Vaksina është ajo e cila e ngrit imunitetin e organizmit, e sensibilizon atë, mundëson krijim e antitrupave ndaj këtyre viruseve që janë specifik, këto katër viruse që i përmendem edhe e mbron organizmin me qëllim që mos të sëmuremi. Ne e dimë që të sëmurit kronik ose ata të cilët kanë imunitet të komprometuar ose gratë shtatzëna, infektimi me një virus sezonal e dëmton organizmin dhe mund të ketë edhe pasoja fatale për ata që kanë sëmundje kronike po e zëmë. Keni parasysh se gripi sezonal edhe mbytë, është jashtëzakonisht serioz, mirëpo kjo vaksinë e bën që imuniteti i organizmit të rritet, organizmi të mos reagojë me temperatura të mëdha, meqë edhe simptoma kryesore e gripeve sezonale është ngritja e temperaturave të cilat janë mbi 38 ose 39 gradë Celsius, të cilat për pacientët të cilët kanë sëmundje kronike mund të jetë edhe fatale. Përfitimet janë të shumta”, tha ai.