Kelmendi: Janë sekuestruar mbi 48 milionë euro pasuri të pajustifikueshme gjatë vitit 2024

Kelmendi: Janë sekuestruar mbi 48 milionë euro pasuri të pajustifikueshme gjatë vitit 2024

Aktuale November 01, 2025 - 12:50

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë ngrirë dhe sekuestruar pasuri të pajustifikueshme me vlerë prej mbi 48 milionë eurosh, ndërsa nga gjykatat janë konfiskuar përfundimisht asete në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh.

Në fjalimin e tij në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, Kelmendi tha se këto rezultate përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e luftës kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, por ai theksoi se ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Duhet të jetë shumë e qartë se mjetet me të cilat është kryer vepra penale dhe ato që janë përfituar me vepër penale duhet të konfiskohen. Për ta arritur këtë, prokurorët duhet të jenë shumë më proaktivë dhe më të vendosur”, deklaroi ai.

Kelmendi vlerësoi edhe punën e Zyrës për Rikthim të Aseteve, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo zyrë, e themeluar në prill të vitit 2024, ka pranuar kërkesa për bashkëpunim nga shumë vende të botës dhe ka paraqitur kërkesa për informacione të nevojshme për hetimet e prokurorëve vendorë. Ai tha se zyra ka dhënë mbështetje të rëndësishme në rikthimin e aseteve të konfiskuara dhe në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Sa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Kelmendi njoftoi se gjatë vitit 2024 janë zgjidhur 39 raste me 45 persona të përfshirë, ndërsa vetëm në nëntëmujorin e vitit 2025 janë zgjidhur 26 raste me 37 persona. /Klankosova.tv