Zëri i luftëtarëve të lirisë u dëgjua edhe në Vatikan
Hysni Gucati dhe Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u pritën sot në takim nga Arqipeshkv Vincenzo Paglia, këshilltar papnor dhe president i Akademisë Papnore për Jetën, figurë e njohur dhe me ndikim në Vatikan.
Në njoftimin e lëshuar nga OVL e UÇK-së, bëhet e ditur së në takim u zhvillua një dialog i hapur e miqësor mbi rëndësinë e së vërtetës historike, kujtesës kolektive dhe respektit për sakrificën e atyre që kanë luftuar për liri.
“U theksua domosdoshmëria që çdo proces drejtësie të mbështetet në parimet e barazisë, humanizmit dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet tutje në njoftim.
Arqipeshkv Paglia shprehu mirëkuptim dhe vlerësim për përpjekjet e komunitetit të luftëtarëve të lirisë në ruajtjen e së vërtetës dhe në promovimin e paqes përmes kujtesës dhe dialogut.
“Ne shprehim mirënjohje për mikpritjen dhe përkushtimin e tij, duke besuar se ky takim do të shërbejë si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për drejtësi, të vërtetë dhe dinjitet njerëzor”.