Një nismë historike që bashkon komunitetin shqiptar nga Kosova dhe mbarë trojet shqiptare në Amerikë

Një nismë historike që bashkon komunitetin shqiptar nga Kosova dhe mbarë trojet shqiptare në Amerikë

Aktuale November 03, 2025 - 10:18

Më 2 nëntor në Staten Island të New Yorkut u prezantua zyrtarisht “American Albanian Association of Kosova” — shoqata “Kosova”, në një takim miqësor me një numër të madh bashkatdhetarësh në Qendrën Kulturore Shqiptare në Staten Island, New York.

Kjo organizatë synon të bashkojë shqiptarët me prejardhje nga Kosova dhe mbarë trevat shqiptare, si dhe të forcojë lidhjet e bashkëpunimit midis komunitetit shqiptar dhe institucioneve amerikane.

Kjo shoqatë u hap falë iniciativës së Shpetim Qorrajt, Tahir Zekajt, Kastriot Blakajt, Valmir Kryeziut dhe Valon Gashit — një temë bisede ndër vite mes shumë miqsh e dashamirësh, që më në fund u bë realitet.

Njëri ndër bashkë-iniciatorët dhe bashkëthemeluesit e kësaj nisme, Shpëtim Qorraj, është djali i heroit të Kosovës, Mustafë Qorraj. Ai njihet në komunitet si biznesmen i suksesshëm, familjar i përkushtuar dhe aktivist i palodhshëm për çështjet kombëtare dhe bashkimin e komunitetit shqiptar në diasporë.

Tahir Zekaj është një aktivist i hershëm i çështjes kombëtare dhe ish i burgosur politik, i njohur për përkushtimin dhe guximin e tij në mbrojtje të vlerave shqiptare. Edhe sot, ai vazhdon të punojë me pasion e dashuri për popullin dhe atdheun, duke qenë frymëzim për brezat e rinj.

Kastriot Blakaj është një biznesmen i suksesshëm dhe një njeri me shpirt të madh komunitar. I urtë, i respektuar dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, ai kontribuon me zemër në çdo nismë që sjell dobi për komunitetin shqiptar në Amerikë.

Valmir Kryeziu është një figurë e njohur në botën e biznesit në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I afërt me njerëzit dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie shoqërore, ai është gjithmonë aktiv në projekte që forcojnë lidhjet mes shqiptarëve dhe rrisin bashkëpunimin brenda komunitetit tonë.

Valon Gashi është shembull i humanizmit dhe profesionalizmit. Si kontabilist i suksesshëm dhe i respektuar, ai është mbështetje e fortë për dhjetëra biznese shqiptare, gjithmonë i gatshëm të ndihmojë me dije, përkushtim dhe zemër.

Këta janë njerëzit që me vizion, vullnet e dashuri për kombin dhe komunitetin shqiptar e amerikan po ndërtojnë themelet e Shoqatës “Kosova”, së bashku me shumë miq, duke krijuar një platformë bashkimi, veprimi dhe shprese për të gjithë shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë.

Në vitet e fundit, Shpëtim Qorraj është angazhuar në shumë organizime të rëndësishme në bashkëpunim me organizata dhe aktivistë shqiptarë në New York dhe më gjerë, duke përfshirë bashkemërtimin e rrugës “Ismail Qemali” në Staten Island, organizimin e festës së Flamurit Kombëtar, si dhe përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që janë shënuar me dinjitet në Senatin dhe Asamblenë e New Yorkut për dy vjet radhazi, si dhe shumë aktivitete në Kosovë me komunitetin dhe liderët lokalë.

Shpëtim Qorraj ka pritur me respekt e mikpritje shumë liderë nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare në New York, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe miqësie me personalitete të shquara. Përmes përkushtimit dhe energjisë së tij pozitive, ai ka pasur një ndikim të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe amerikanëve, duke shërbyer si shembull se si puna, mirësia dhe bashkimi prodhojnë rezultate të mëdha.

Populli dhe shoqatat shqiptare e shohin z. Qorraj si një lider që bashkon, frymëzon dhe rrit komunikimin mes njerëzve të komunitetit – një zë i bashkimit dhe përfaqësimit të denjë të diasporës sonë.

Tash, me hapjen zyrtare të shoqatës “Kosova”, priten më shumë iniciativa të reja e konkrete, duke marrë parasysh përvojën profesionale të z. Qorraj si jurist, si dhe rrjetin e gjerë të miqve dhe bashkëpunëtorëve që ndajnë të njëjtat vlera e parime njerëzore.

Image

Image