Kosova hap librin e ngushëllimeve për Fatos Nanon, Malaj: Politika shqiptare ka humbur një politikan të zot
Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë ka hapur librin e ngushëllimeve për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano, në nder të jetës dhe veprës së tij politike.
Me këtë rast, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e ka vlerësuar Nanon si një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare të periudhës së tranzicionit.
“Fatos Nano është një prej politikanëve më të rëndësishëm shqiptarë të periudhës së tranzicionit të politikës në Shqipëri. Një figurë e rëndësishme, që transmetonte ide që moderoi të majtën shqiptare në Shqipëri. Për këtë ka lënë një gjurmë që të gjithë shqiptarët e kanë vërejtur. Mendoj që politika shqiptare ka humbur një politikan të zot, një politikan liberal në frymë, i cili në momente të caktuara ka ditur të veprojë dhe të marrë vendime të rëndësishme”, tha ai.
Sipas njoftimit të Ambasadës, libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur sot dhe nesër për qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve, trupin diplomatik dhe miqtë e Shqipërisë, në oraret 10:00–12:00 dhe 14:00–16:00.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, u përcoll të dielën për në banesën e fundit në një ceremoni shtetërore të mbushur me dhimbje, nderim dhe respekt. Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë, përfaqësues të institucioneve shtetërore e politike, trupa diplomatike, figura të besimeve fetare, si dhe personalitete nga fusha e artit, kulturës dhe medias.
Në nder të figurës së tij, Qeveria e Shqipërisë shpalli 2 nëntorin ditë zie kombëtare.
Flamujt në të gjitha institucionet publike u ulën në gjysmë shtizë, ndërsa në mesditë u mbajt një minutë heshtje në mbarë vendin. Të gjitha aktivitetet publike u ndërprenë për të respektuar kujtimin e ish-kryeministrit, i cili u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Arkëmorti i Fatos Nanos u përcoll me nderime nga Garda e Republikës së Shqipërisë në një ceremoni solemne të zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë. Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër u drejtua për në varrezat e Sharrës, ku trupi i tij u vendos për pushim të përjetshëm në një ceremoni private familjare.
Fatos Nano do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si një figurë qendrore e së majtës shqiptare, themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe një burrë shteti me vizion evropian, i cili besoi te liria, shteti dhe njeriu.
Ai do të kujtohet si një lider që i dha tonin modernizimit të politikës shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer politike dhe njerëzore që do të mbetet e gjallë në historinë e Shqipërisë.
Fatos Nano, ish-kryeministër i Shqipërisë i cili vdiq më 31 tetor në moshën 73-vjeçare, u nderua të dielën me një ceremoni shtetërore në Tiranë, para se të varroset në një ceremoni private në varrezat e kryeqytetit shqiptar. /EO
