Punëtorët e RTK-së pa paga, Sindikata paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohet buxheti

Punëtorët e RTK-së pa paga, Sindikata paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohet buxheti

Aktuale November 03, 2025 - 11:20

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj mostransferimit të buxhetit të RTK-së nga institucionet shtetërore, ndonëse ky buxhet është miratuar me ligj qysh para një viti në Kuvendin e Kosovës.

Në reagimin e përbashkët, sindikatat shprehin indinjatën dhe shqetësimin e thellë për mostransferimin e buxhetit të RTK-së nga ana e institucioneve përkatëse, duke paralajmëruar se vonesat e tilla “po e vënë në rrezik serioz funksionimin e transmetuesit publik dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë ekonomike e sociale të punëtorëve të mediumit publik”.

Sipas tyre, edhe më 3 nëntor, punëtorët e RTK-së janë pa paga, çka i ka lënë pa mundësi për të kryer obligimet ndaj bankave dhe ato ditore familjare.

Në deklaratë thuhet se përmes këtij veprimi po cenohet jo vetëm e drejta themelore e punëtorëve për pagë të rregullt dhe kushte të dinjitetshme pune, por edhe vetë pavarësia dhe misioni publik i RTK-së.

Sindikata thekson se është e papranueshme që një institucion publik me mision kushtetues të informimit të qytetarëve të vihet në pozitë pasigurie për shkak të mosveprimit të institucioneve:

“Financimi i plotë dhe në kohë i RTK-së nuk është privilegj, por obligim ligjor dhe moral ndaj mediumit publik dhe atyre që çdo ditë mbajnë në funksion këtë institucion”, thuhet në reagim.

Në reagim, sindikatat kërkojnë që RTK të mos përdoret për qëllime politike.

“RTK-ja nuk duhet të shndërrohet në instrument të pazareve politike. Financimi i RTK-së nuk mund të mbetet peng i marrëveshjeve mes partive politike apo të përdoret për kalkulime politike”, thuhet tutje në reagimin e sindikatave.

Duke e cilësuar situatën si urgjente, ato u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të veprojnë menjëherë.

“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës i bëjnë thirrjen e fundit Kuvendit të Kosovës si themelues, Presidentes së vendit dhe Qeverisë në detyrë që urgjentisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ekzekutimin e buxhetit të mbetur të RTK-së”, theksohet më tej.

Në fund, sindikatat paralajmërojnë se në mungesë të reagimit institucional, ato nuk përjashtojnë asnjë formë demokratike të reagimit sindikal në rast të moszgjidhjes së menjëhershme të kësaj çështjeje.

“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës mbeten të vendosura në mbrojtjen e drejtave të punëtorëve te RTK-së dhe mbrojtjen e integritetit të transmetuesit publik, duke mos përjashtuar asnjë formë demokratike të reagimit sindikal në rast të moszgjidhjes së menjëhershme të kësaj çështjeje”, thuhet në reagim.