Bislimi: Raporti i KE-së konstatoi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi
Foto: Laura Hasani

Bislimi: Raporti i KE-së konstatoi shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi

Aktuale November 05, 2025 - 19:15

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Raporti i Progresit për Serbinë i Komisionit Evropian ka konstatuar se ky shtet shkel të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

“Në raport theksohet se korniza institucionale për mbrojtjen e pakicave mbetet e paplotë dhe se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave”, shkroi Bislimi në rrjetet sociale.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, të publikuar më 4 nëntor, në pjesën për mbrojtjen e minoriteteve thuhet se “pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të ngrenë shqetësime lidhur me mënyrën se si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, duke rezultuar me ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara”.

“Duhet që autoritetet t’ia shpjegojnë më mirë publikut se si këto kontrolle kryen dhe të adresojnë shqetësimet e shprehura lidhur me mungesën e raportuar të mjeteve efektive të ankimimit”, thuhet në Raport.

Sipas Bislimit, tani “po dëshmonte se praktikat [e pasivizimit të adresave] përbëjnë artikulim të politikave që synim kanë spastrimin etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative”.

Qeveria e Kosovës, por edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, viteve të fundit vazhdimisht kanë denoncuar atë që e cilësojnë si pasivizim i adresave. Madje për këtë çështje ka pasur edhe protesta.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Çështja e pasivizimit të adresave është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Në të është thënë se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë.

“Ky pasivizim i cili është duke u bërë për vite me radhë, është shumë e rëndësishme që më në fund BE-ja ka pranuar që ta reflektojë dhe bëjë pjesë të vlerësimeve përfundimtare të raportit zyrtar të Komisionit Evropian, duke vendosur theks në kontrollimin e procedurave të pasivizimit”, tha Bislimi.

Po ashtu, në pjesën për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Raportit të Progresit për Serbinë thuhet se plani i veprimit “për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione ende nuk ka prodhuar rezultatet e duhura”.

“Pakicat kombëtare vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësurara në administratën publike dhe në polici”, u tha në Raportin e Progresit për Serbinë.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se shteti do të vazhdojë të ngrehë çështjen e shqiptarëve në jug të Serbisë në çdo nivel ndërkombëtar, derisa të drejtat e tyre të garantohen plotësisht.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Në korrik të këtij viti, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e dorëzoi në këtë institucion një draft-rezolutë për situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke kërkuar që kjo temë të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo draft-rezolutë bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013, dhe për pezullim të menjëhershëm të masave administrative për pasivizim të adresave. /REL