“NewCo Ferronikeli” do t’i largojë nga puna, mbi 500 punëtorë pritet të mbeten pa paga
Që nga viti 2023, puna dhe pagat në kompaninë “NewCo Ferronikeli” janë përgjysmuar. Për 24 muaj me radhë, punëtorët kanë marrë vetëm një pjesë të pagës: disa 75 për qind, e disa të tjerë vetëm 30 për qind.
Por këtë të premte u bë e ditur se punëtorët nuk do të dalin më në punë, pasi kompania ka ndalur aktivitetin për shkak të mungesës së punës. Kjo situatë, sipas Sindikatës, është pasojë e çmimeve të larta të energjisë elektrike dhe mungesës së përkrahjes institucionale.
Sejdi Morina, kryetar i Sindikatës së “Ferronikelit”, tha se dy nga arsyet kryesore që kanë çuar në këtë gjendje janë çmimi i energjisë elektrike dhe ai i niklit në tregun ndërkombëtar.
“Mbi 500 punëtorë do të largohen nga puna, njoftimet tashmë u janë dërguar. Në punë do të mbeten rreth 40 punëtorë, si staf esencial për mirëmbajtje. Për situatën tonë kemi dërguar dhjetëra shkresa, por askush nuk është marrë me ne, as ministritë përkatëse, as qeveria. Komunikimi ka qenë zero”, tha Morina.
Sipas tij, punëtorët me kontrata të përhershme do të vazhdojnë të marrin paga edhe për disa muaj. Rreth 300 punëtorë me kontrata të përhershme do të marrin paga deri në shkurt të vitit 2026, ndërsa ata që nuk kanë kontrata të përhershme do t’i marrin pagat vetëm deri në dhjetor.
Megjithatë, shumë prej punëtorëve të “Ferronikelit”, të cilët janë edhe kryefamiljarë, thonë se do të detyrohen të kërkojnë punë të re për të mbijetuar.
Ndërkaq, kompania “NewCo Ferronikel” i ka njoftuar se sapo kushtet e tregut të lejojnë rifillimin e prodhimit, punonjësit e prekur do të kenë prioritet për t’u ripunësuar. /Klankosova.tv