Avonet kërkon pezullimin e projektbuxhetit 2026, Qeveria kundërshton masën e sigurisë
Foto: Laura Hasani

Avonet kërkon pezullimin e projektbuxhetit 2026, Qeveria kundërshton masën e sigurisë

Aktuale November 07, 2025 - 12:50

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca dëgjimore për propozimin e masës së sigurisë nga organizata Avonet ndaj Qeverisë së Kosovës për pezullimin e projektbuxhetit të vitit 2026, duke pretenduar se janë shkelur Ligji për Qeverinë dhe Kushtetuta.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave tha se aprovimi i këtij propozimi do të nënkuptonte ndërhyrje të gjyqësorit në punët e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ.

Për paditësin/propozuesin e masës së përkohshme të sigurisë, Avonet, përfaqësuesi Shefki Berisha theksoi se qëndron në tërësi pranë propozimit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, duke kërkuar pezullimin e projektbuxhetit të vitit 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Berishës, do të realizohej një dëm i pariparueshëm, pasi pagesat që do t’u bëheshin operatorëve ekonomikë do të krijonin pasoja financiare të pariparueshme për buxhetin e shtetit në të ardhmen.

Tutje, Berisha gjatë arsyetimit të propozimit për masë të përkohshme tha se masa nuk e cenon interesin juridik, pasi Qeveria në detyrë, me këtë propozim për buxhet, ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.

Berisha tha se plotësohen dy kushtet në mënyrë kumulative për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë: dëmi i madh dhe i pariparueshëm, si dhe interesi publik. Ai citoi një rast nga praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se caktimi i masës së sigurisë është pjesë integrale e së drejtës për gjykim të drejtë.

Në fund, Berisha dorëzoi në gjykatë dy komunikime të zhvilluara me organizata buxhetore, sipas tij me Komunën e Ferizajt dhe atë të Prizrenit, për të dëshmuar se gjatë hartimit të projektbuxhetit për vitin 2026 ka pasur mospërputhje dhe probleme që tregojnë se projektbuxheti nuk përfaqëson interesat e të gjitha organizatave buxhetore.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Art Jashari, tha se me rastin e ushtrimit të padisë nga paditësi nuk janë respektuar kushtet ligjore që kërkohen për paraqitjen e padisë ndaj një akti administrativ, duke arsyetuar se projektbuxheti nuk është akt i njëanshëm dhe përfundimtar, por vetëm propozim për Kuvendin për miratim të buxhetit të vitit 2026.

Sipas Jasharit, është e paqartë se ku e gjen legjitimitetin aktiv paditësi, pasi nuk e bind gjykatën dhe as palën tjetër se është mbajtës i interesave publike.

Ai shtoi se aprovimi i propozimit për masë sigurie nga ana e gjykatës do të cenonte interesin publik dhe se propozuesi, Avonet, nuk ka dëshmuar se janë plotësuar dy kushtet për caktimin e kësaj mase të përkohshme.

Në fund, Jashari tha se masa, në rast caktimi nga gjykata, do të përbënte ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, gjë që është në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.

Gjykatësi i rastit, Kreshnik Kaqiu, e shpalli të përfunduar seancën dëgjimore, duke sqaruar palët se vendimi me arsyetim do t’u dërgohet me shkrim.

Sipas padisë së paraqitur më 3 nëntor 2025 nga rrjeti i OJQ-ve “Avonet”, thuhet se padia paraqitet bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative, duke kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, të datës 31 tetor 2025, për aprovimin e projektligjit për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës.

Në këtë padi thuhet se vendimi është nxjerrë në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se deputeti nuk mund të ushtrojë edhe post ekzekutiv, dhe se disa ministra aktualë janë betuar si deputetë të Kuvendit.

Gjithashtu, në padi thuhet se, përveç shkeljes së Kushtetutës, është shkelur edhe Ligji për Qeverinë, konkretisht Neni 31, që përcakton kufizimet e qeverisë në detyrë. Sipas padisë, Qeveria aktuale është bazuar gabimisht në këtë nen me arsyetimin se nuk është qeveri në dorëheqje, siç përcakton ligji.

Prandaj, në fund, i është propozuar gjykatës që të aprovojë padinë dhe të anulojë vendimin e Qeverisë për projektligjin për ndarjet buxhetore.

Në këtë padi, Avonet ka paraqitur edhe kërkesë-propozim për masë të përkohshme të sigurisë, me arsyetimin se me zbatimin e vendimit të Qeverisë do të shkaktohej dëm i rëndë, i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm, pasi pagesat buxhetore ndaj operatorëve ekonomikë, në mënyrë të kundërligjshme, do të krijonin pasoja të menjëhershme në buxhetin e shtetit.

Tutje, në padi thuhet se me zbatimin e vendimit shkaktohet edhe dëm institucional dhe se nëse nuk vendoset masa, humbet efekti i saj. Shtohet se masa nuk cenon interesin publik, pasi qëllimi i saj është parandalimi i një akti të kundërligjshëm dhe i shpërndarjes së buxhetit mbi bazën e një vendimi të paligjshëm.

Gjithashtu, theksohet se nuk ekziston interes publik në një vendim të nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa pezullimi i ekzekutimit të vendimit konsiderohet masë e butë.

Prandaj, i është propozuar gjykatës që të aprovojë në tërësi masën e përkohshme të sigurisë ndaj vendimit të Qeverisë dhe të pezullojë ekzekutimin e tij.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, përmes përgjigjes në padi të datës 7 nëntor 2025, ka theksuar se Gjykatës Themelore i mungon juridiksioni dhe kompetenca për shqyrtimin e padisë në fjalë.

Sipas përgjigjes, paditësi nuk e ka të qartë se projektbuxheti nuk është akt administrativ dhe përfundimtar, andaj nuk ka bazë për ushtrimin e padisë me kërkesë për masë të përkohshme.

Gjithashtu, në përgjigje është kontestuar edhe legjitimiteti i palës paditëse, duke u thënë se ajo nuk ka arritur të provojë se cili interes privat i cënohet, që është kusht për caktimin e masës së sigurisë.

Sa i përket cilësisë së organizatës, sipas përgjigjes, është e vështirë të përcaktohet se cilat të drejta janë cenuar dhe cilat tenton t’i mbrojë paditësi, pasi Avonet, sipas saj, interesat e veta mund t’i mbrojë para një organi administrativ.

Tutje, në përgjigje thuhet se paraqitja e padisë nga Avonet përbën abuzim të të drejtave procedurale, pasi i mungon legjitimiteti për paraqitjen e padisë dhe nuk ka rekord përfaqësimi në kuptim të mbajtjes së interesave kolektive apo publike.

Sipas Qeverisë, masa e përkohshme caktohet vetëm nëse ekziston dëm i rëndë, ndërsa paditësi nuk ka parashtruar asnjë dëm të tillë për interesat e veta.

Në përgjigje thuhet se marrja e masës së përkohshme do të cenonte rëndë rendin juridik, pasi do të përbënte bllokim të përgjithshëm, jo vetëm të jetës institucionale, por edhe të funksionimit të shtetit e shoqërisë.

Tutje, është theksuar se caktimi i masës së përkohshme të sigurisë do të pezullonte dhe pengonte procesin e miratimit të Buxhetit të Kosovës, gjë që do të përbënte ndërhyrje të papranueshme të pushtetit gjyqësor në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.