Gjykata Supreme hedh poshtë dy ankesat e LVV-së për parregullsi në zgjedhje
Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka shqyrtuar dy ankesa të paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me pretendimet për parregullësi gjatë ditës së votimit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në komunikatën e lëshuar, Gjykata bën të ditur se në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.106/2025, “kolegji gjyqësor e ka hedhur si të palejuar ankesën e paraqitur nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.221/2025, të datës 17 tetor 2025”.
Sipas Gjykatës, “për të njëjtën çështje tashmë është vendosur me aktgjykimin A.A.nr.95/2025, të datës 23 tetor 2025, si dhe ankesa ishte parashtruar pas afatit të përcaktuar ligjor”.
Ndërsa në rastin e dytë, me numër lënde AA.nr.107/2025, Gjykata Supreme ka vendosur ta refuzojë si të pabazuar ankesën e LVV-së, e cila ishte paraqitur kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.358/2025 të datës 29 tetor 2025.
“Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i PZAP-së është marrë në përputhje me ligjin, duke konstatuar se ankesa e paraqitur nga subjekti politik LVV në PZAP ishte e pasafatshme, pasi nuk ishte dorëzuar brenda afatit ligjor prej 48 orësh, i përcaktuar me nenin 118 të Ligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës,” thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, Gjykata Supreme ka theksuar se respektimi i afateve dhe procedurave ligjore është thelbësor për “zbatimin e drejtë dhe të barabartë të së drejtës zgjedhore për të gjithë pjesëmarrësit në proces”.