Jahjaga në Indonezi, kërkon njohjen e Kosovës
Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në edicionin e nëntë të Forumit Botëror të Paqes, që po zhvillohet në Jakarta të Indonezisë, ku morën pjesë figura të njohura botërore, përfaqësues qeveritarë, liderë fetarë dhe delegacione nga shumë shtete të botës.
Në darkën e hapjes së forumit, Jahjaga njoftoi në Facebook se zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të Qeverisë së Indonezisë, si dhe me delegacione nga vende si Japonia, Kina, Rusia, Australia, Mbretëria e Bashkuar, Egjipti, Irani, Tajlanda, Malajzia, Timori Lindor, Bosnja dhe Hercegovina e të tjera.
Gjatë këtyre bashkëbisedimeve, ish-presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë që ka njohja e Republikës së Kosovës, jo vetëm për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, por edhe për ndërtimin e partneriteteve të reja që kontribuojnë në sigurinë dhe zhvillimin global.
“Njohja e Kosovës është një veprim që fuqizon vlerat demokratike dhe krijon hapësirë për bashkëpunim më të thellë ndërmjet vendeve tona,” u shpreh Jahjaga.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se Kosova sot është një shtet më i pjekur dhe me institucione të qëndrueshme, e gatshme të ndajë përvojën e saj me shtete që përballen me sfida të ngjashme me ato që Kosova i ka kaluar 26 vite më parë.
“Jemi të gatshëm të kontribuojmë si një shembull pozitiv i transformimit pas konflikteve,” shtoi ish-presidentja e Kosovës.