Mbyllet Qendra e Numërimit në Mitrovicë
Dyert e Qendrës Komunale të Numërimit (QKN) në komunën e Mitrovicës janë mbyllur të martën, pas vendimit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, e cila në mesnatë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas raportimeve për pretendime të mundshme për manipulim me fletëvotime dhe pas konstatimit të disa numrave serikë të ndryshëm në to.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se procesi do të mbetet i pezulluar derisa të merret një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të qëllimshëm.
“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime. Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast, mbrëmë është deklaruar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka sqaruar se fletëvotimet e dyshuara janë rezultat i një gabimi teknik.
“Pas shqetësimeve të ngritura në opinion lidhur me zhvillimet gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës së Jugut, KQZ sqaron: Bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit”, tha KQZ-ja në njoftimin për media.
Në balotazhin e të dielës, sipas rezultateve preliminare, në komunën e Mitrovicës ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, përballë kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri. /eo



