Kadaj i reagon Hotit për kritikat ndaj Presidentes për zhvillimet në Kuvend
Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donka Kadaj, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, pas kritikave të tij ndaj deklaratës së presidentes për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës.
Kadaj, në një postim ë Facebook, ka shkruar se Hoti është “njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik”, duke përmendur mënyrën se si ai ishte bërë kryeministër përmes shkeljes së Kushtetutës dhe nënshtrimit politik gjatë mandatit të tij. Sipas Kadaj, modeli i tij i politikbërjes është shembulli më i keq për qytetarët.
Sa i përket deklaratës së presidentes, Kadaj theksoi se votimi për zgjatjet buxhetore, Planin e Rritjes, buxhetin e RTK-së, apo marrëveshjet me Bankën Botërore, është në kompetencë të deputetëve dhe brenda suazave kushtetuese, dhe mund të procedohet edhe nga Presidentja në përputhje me Kushtetutën, në rast se partitë opozitare nuk janë dakord.
Ajo shtoi se Hoti po i gënjen qytetarët, duke mos marrë parasysh pasojat financiare për vendin: mbi 1 miliard euro të bllokuara dhe mijëra familje pa paga, ushqim apo barna të nevojshme. “Prioriteti i tij është të sulmojë Presidenten, jo të sigurojë funksionimin e institucioneve,” theksoi Kadaj.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me deklarimin e sotëm të Presidentes së Kosovës për çështjet që presin shqyrtim në Kuvend.