Michael Durkee, dëshmitari i gjashtë i Thaçit vazhdon dëshminë në Speciale

Michael Durkee, dëshmitari i gjashtë i Thaçit vazhdon dëshminë në Speciale

Aktuale November 13, 2025 - 08:07

Michael Durkee, dëshmitar i Mbrojtjes dhe i cili shërbeu si këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë periudhës përkatëse, vazhdon sot dëshminë në Speciale.

Ish-këshilltari politik i gjeneralit Clark, dje gjatë dëshmisë në Hagë, u pyet për takimin që ka thënë se e ka shoqëruar shefin e tij me Hashim Thaçin. Atij iu shfaq edhe një dokument si provë nga mbrojtja.

Në dokument si pjesë e delegacionit shiheshin emrat e Hashim Thaçit, Ramë Bujës, Jakup Krasniqit, Xhavit Halitit, Azem Sylës, Blerim Shalës, Edita Tahirit, Mehmet Hajrizit, Fehmi Aganit e Gjergj Dedajt.

“Personat që i kam takuar personalisht kanë qenë Thaçi dhe Krasniqi, emrat tjerë janë thjesht të dëgjuar dhe jo të takuar”, tha ai gjatë dëshmisë së tij.

“ Ju thoni se qëllimi i takimit ishte që pjesërisht Clarku dëshironte të kuptonte më mirë synimet politike të UÇK-së dhe kapacitetet ushtarake në rast se do të urdhërohej dhe do të kryhej një operacion ushtarak. Pse ishte e rëndësishme të kuptoheshin synimet politike të UÇK-së në këtë kohë?”, pyeti mbrojtja dëshmitarin.

Ai tha se çdo komandant ushtarak që mendon për misionin është e rëndësishme për të ditur cili është mjedisi në terren.