Rexhepi ngre shqetësimin me votimin e REM-it në Serbi: Asnjë shqiptar nuk mori mbështetjen
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka ngritur shqetësimin e tij në lidhje me votimin e anëtarëve të Këshillit të Rregullatorit për Mediat Elektronike (REM) në Kuvendin e Serbisë.
Ai tha se u zgjodhën tetë anëtarë nga propozimet e institucioneve e shoqatave serbe, ndërsa asnjëri nga kandidatët e propozuar nga këshillat kombëtare të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët, nuk mori mbështetjen e nevojshme.
“Në Kuvendin e Serbisë u votua për anëtarët e Këshillit të Regullatorit për Mediat Elektronike (REM), ku u zgjodhën tetë anëtarë nga propozimet e institucioneve e shoqatave serbe, ndërsa asnjëri nga kandidatët e propozuar nga këshillat kombëtare të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët, nuk mori mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar ai.
Rexhepi thekson se kjo është dëshmi e qartë se për qeverinë aktuale as shqiptarët, as boshnjakët nuk janë të pranueshëm.
“Kjo është një dëshmi e qartë se për qeverinë aktuale ksenofobe as shqiptari, as boshnjaku nuk janë të pranueshëm. Votimi i sotëm, ku kandidatët e pakicave u lanë pa asnjë votë mbështetëse, tregon mungesë vullneti për përfaqësim të barabartë dhe shkelje të frymës së ligjit për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare. Në të njëjtën kohë, REM mbetet një nga institucionet më të politizuara, që në vend të garantimit të lirisë së mediave, është shndërruar në instrument kontrolli dhe ndikimi qeveritar. Nëpër mediat e mbikëqyrura prej tij, shqiptarët vazhdojnë të portretizohen në mënyrën më negative, ndërsa gjuha e urrejtjes dhe ofendimeve ndaj pakicave, në veçanti ndaj shqiptarëve, nuk sanksionohet”, shkruan Rexhepi.
Më tej ai ka shkruar se: “Përjashtimi i përfaqësuesve të pakicave nga REM-i do të thotë heshtje e qëllimshme ndaj diskriminimit mediatik, dhe pamundësi që zëri i pakicave të dëgjohet në një organ që duhet të garantojë pluralizmin dhe barazinë në hapësirën mediatike të vendit”.