Durkee për dhunën gjatë ’99-s: Hakmarrje, kosovarët ndiheshin të tradhtuar nga personat me të cilët ishin rritur
Ish-këshilltari politik i Wesley Clarkut, Michael Durkee, edhe sot po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Durkee, i cili e filloi dëshminë të mërkurën më 12 nëntor, po vazhdon të merret në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli.
Durkee tha se gjatë konfliktit në Kosovë, të përfshirë ishin edhe paramilitarë nga popullata serbe. Sipas tij, shumë banorë lokalë jepnin informacione për Ministrinë e Punëve të Brendshme se ku duhet të përqendroheshin ata.
“Nëse shikojmë se çfarë ka ndodhur në pranverën e vitit 1999 dhe veprimtaritë nuk kishin të bënin thjesht me kontrollin e Qeverisë serbe por gjithashtu edhe me grupe paramilitare të cilat ishin zhvilluar në popullsinë serbe në Kosovë. Në shumë vende, këta banorë serbë lokalë, po i jepnin informacion sa i takon se ku duhet të përqendroheshin forcat serbe”, tha Durkee.
Durkee deklaroi se shqiptarët e Kosovës e panë me sytë e vet se si po trajtohen nga këta persona dhe u ndjenë të tradhtuar nga ata që ishin rritur bashkë.
“Kjo është diçka që është dirigjuar kryesisht nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës po shikonin me sytë e vet që po trajtoheshin në këtë mënyrë nga persona të cilët jetonin në rrethana të ngjashme në ato fshatra e qyteza, besoj që është e kuptueshme se ata më pas kishin dëshirë për hakmarrje sepse ndjeheshin se ishin tradhtuar dhe viktimizuar nga persona që ishin rritur bashkë me ata”, tha Durkee.
Michael Durkee theksoi se kjo ishte një luftë civile brutale gjatë kësaj periudhe kohore.
“Luftërat civile janë brutale. Edhe në këtë rast ishte një luftë civile brutale në atë nivel”, u shpreh Durkee.
Mbrojtja e Thaçit ka bërë një kërkesë në lidhje me dëshminë e dëshmitarit të tyre 1DW-005 Po ashtu, për të njëjtin dëshmitar kishte parashtruar një kërkesë edhe Prokuroria.
Që prej kohës kur janë parashtruar këto kërkesa, mbrojtja e Thaçit e kishte informuar trupin gjykues se nuk do të mbështetet në dëshminë e këtij dëshmitari.
Trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith III tha se të gjitha këto parashtrime janë të tejkaluara.
Po ashtu, edhe për disa dokumente u mor vendim që të zëvendësohen me dokumentet e rishikuara për përkthim.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025.
DHSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.