Bajrami: Pacientët e hemodializës pa materiale, kurse Kurti qytetarin e sheh si votë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie, duke thënë se edhe procesi i hemodializës në spitale është lënë pa materiale të nevojshme.
Ajo përmendi edhe disa vendime të qeverisë që, sipas saj, dëshmojnë keqpërdorim të pushtetit, përfshirë tenderin sekret për rezervat shtetërore dhe mijëra kontrata njëburimore.
“Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, e që i ka zhvilluar negociatat në restorantin ‘Bukë e Zemër’ të Ridvan Muharremit, i njëjti që ka lejuar vartësit e tij të lidhin mbi 2,400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë eurosh, është po ai që ka lejuar që energjia e importuar të blihet jo në bursë, jo përmes ankandeve, por drejtpërdrejt nga kompania NOA”, ka shkruar deputetja.
Sipas saj, raportimet për mungesë materialesh në SHSKUK dhe qendrat e hemodializës janë dëshmi e dështimit të Qeverisë.
“Sigurisht arsyetimet do të jenë te procedurat e prokurimit, por kjo nuk e justifikon neglizhencën”, shtoi.