Osmani: Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë është zemra e kujtesës sonë kombëtare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës në Kosovë mbetet “borxhi më i madh i shtetit dhe shoqërisë”.
Këto komente Osmani i bëri gjatë një takimi me drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, dhe ekipin e tij, ku u diskutua për punën e Institutit në dokumentimin e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
Presidentja theksoi se ky institut është “zemra e kujtesës sonë kombëtare” dhe se “me mijëra dëshmi të mbledhura e dokumentuara, ai mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera ndaj popullit të Kosovës”.
“Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. E vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë”, tha Osmani.
Ajo ftoi qytetarët, studiuesit dhe të rinjtë e vendit të kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës kombëtare, duke theksuar se “historia nuk harrohet – ajo tregohet e mbrohet, me dinjitet dhe me të vërtetën si themel”.