Punëtorët e RTK-së edhe sot në protesta për pagat, të hënën do të futen në grevë
Për të tretën herë, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë në protestë, për të kërkuar të ekzekutohen pagat e tyre, raporton Ekonomia Online.
Gëzim Bimbashi, nga Sindikata e Punëtorëve, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti të veprojë ngjashëm siç kishte bërë në gusht të këtij viti dhe t’i ekzekutojë pagat.
Ndërkaq ata në protestën e sotme njoftuan se nga e hëna do të hyjnë në grevë, e ku u bëri thirrje të gjithë punëtorëve që nga ora 11:00 deri në orën 12:00 të mos punojnë asgjë.

“Gjendja në RTK është përkeqësuar, ndërsa institucionet po vazhdojnë të heshtin. Mbi 700 familje të punonjësve të RTK-së po përballen me problem për mbijetesë. Presione nga bankat, detyrime për të paguar, ankth i përditshëm për të ardhmen. Kjo nuk është krizë ekonomike, është krizë e identitetit. Dua ta them qartë se kjo situatë mund të zgjidhet menjëherë pa asnjë vonesë me një vendim të kryeministrit në detyrë, zotit Albin Kurti. Të gjitha justifikimet e tjera për komisione apo procedura të tjera janë beteja mes partish. Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike. Ne nuk jemi pjesë e asnjë partie. Jemi punëtorë që kërkojmë atë që na takon me ligj. Kemi dëgjuar deklarata por asnjë veprim konkret. Prandaj, i bëjmë thirrje publike kryeministrit në detyrë Kurti që të veprojë ashtu sikurse herën e kaluar dhe të mundësojë zgjidhjen e menjëhershme të situatës. Është e papranueshme që punëtorët nuk kanë marrë as njoftim nga menaxhmenti. Domethënë nuk kemi marrë njoftim që s’ke me pasë paga. RTK-ja është pronë publike dhe e qytetarëve, e jo e partive politike. Ne do ta mbrojmë me dinjitet, unitet dhe vendosmëri. Greva do të fillojë nga e hëna në të gjithë RTK-në. Grave do të fillojë nga ora 11:00 e deri në orën 12:00. Kërkojmë që nga kjo orë të mos punohet asgjë”, tha ai.



