Hykolli: Ky s’është turpi i punëtorëve të RTK-së, por i atyre që duhej të dëgjonin e zgjodhën të heshtin
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit të reflektojnë dhe të ekzekutojnë pagat e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, duke thënë se demokraci është kur dëgjohet zëri dhe brenga e punëtorit.
Hykolli nga protesta e punëtorëve të RTK-së tha se është e papranueshme dhe e pafalshme që punëtorët të nxirren në rrugë, duke theksuar se nuk është turpi mbi punëtorët që po kërkojnë asgjë më shumë sesa pagën për punën e tyre, por i atyre që heshtën.
“Kur punëtorët e RTK-së dalin për të protestuar, ky nuk është turpi i tyre, por i atyre që duhej të dëgjonin, por zgjodhën të heshtin. Është e papranueshme dhe e pafalshme që punëtori të nxirret në rrugë”, tha ai.
“Zëri juaj nuk u dëgjua. Prandaj sot jemi prapë bashkë me guximin tonë dhe dinjitetin tonë. Jam i nderuar që jam këtu dhe i gëzuar me vendosmërinë e juaj për ta thënë atë që duhet të thuhet. Ju bëj thirrje punëdhënësve, institucioneve, Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë që ta dëgjojë këtë, sepse në demokraci thuhet shpesh “le të flitet”, por demokracia e vërtetë është kur dëgjohet zëri i punëtorit dhe brenga e tij, e respektohet kërkesa e tij për të drejtën. Nuk kërkojmë sot as luks e as privilegj. Kërkojmë pagën për punën që ne bëjmë. Kur punëtori del në rrugë, ai nuk del nga dëshira, por nga dhimbja e nga padrejtësia. Kur punëtorët e RTK dalin për të protestuar, ky nuk është trupi i tyre, por i atyre që duhej të dëgjonin por zgjodhën të heshtin. Është e papranueshme dhe e pafalshme që punëtori të nxirret në rrugë”, tha ai.
Ai ka theksuar se punëtori nuk është armik i shtetit, por shtylla mbi të cilën qëndron vetë shteti.
“Pse punëdhënësi e ka problem dialogun social, që ne e kërkojmë? Punëtori nuk është armik i shtetit, por shtylla mbi të cilën qëndron vetë shteti. Pa punëtorin nuk ka ekonomi, nuk ka drejtësi, pa punëtorin nuk ka RTK. Ne jemi me ju dhe çdo punëtor që ngrihet me dinjitet dhe me drejtësi kërkon atë që i takon, kërkon djersën e pagës së vet. Këtu e themi qartë se BSPK-ja qëndron me punëtorin, me protestën e drejtë dhe të vërtetë të tij. Ju jeni zëri i shoqërisë dhe sot është dita që shoqëria të dëgjojë zërin tuaj. Ju bëjmë thirrje institucioneve: mos heshtni, mos e shmangni dialogun, dialogu social nuk është dobësi, është urtësi”, tha Hykolli. /eo