Ministrja Hajdari deklarohet e gjendjes së varfër ekonomike, përkundër pagës prej 1749 eurove

Ministrja Hajdari deklarohet e gjendjes së varfër ekonomike, përkundër pagës prej 1749 eurove

Aktuale November 13, 2025 - 13:32

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar të jetë e gjendjes së varfër ekonomike.

Këtë deklarim ministrja Hajdari e ka bërë në prezantimin e të dhënave të saj para Prokurorisë Speciale lidhur me dëshminë në rastin e ngritjes së aktakuzës për “Rezervat shtetërore”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“... ekonomiste, e gjendjes së varfër ekonomike...”, përshkruhet në aktakuzë.

Mirëpo, për pesë vjet, që nga data e emërimit më 22 mars 2021 deri në deklarimin e fundit të pasurisë të dorëzuar më 24 mars 2025 për vitin 2024, ministrja Hajdari ka deklaruar se ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 72.747.00 euro.

Të hyrat nga buxheti i shtetit i ka deklaruar nga paga mujore, si dhe mëditjet për udhëtimet jashtë vendit.

Në anën tjetër, në deklarimin e fundit të pasurisë, ministrja Hajdari ka deklaruar se pranon pagë mujore si ministre në vlerë prej 1749.57 eurove.

Nëse kjo pagë llogaritet për periudhën janar-tetor 2025, i bie të ketë pranuar pagë 17.490.00 euro.

Ndërsa, ka deklaruar kursime mbi 8 mijë euro, një pjesë e tyre të përbashkët.

“5,600.00 Euro Pension mujor për kategoritë e cenueshme Depozita/kursime Përbashkët. 4,652.37 Euro Paga mujore Depozita/kursime Deklaruesit”, thuhet në deklarimin e pasurisë.

Ajo ka të deklaruar dhe një banese prej 60 metra katrorë, në pronësi të përbashkët.

“Blerja e banesës nga kursimet familjare dhe pagat e motrës Tereza viti 2012, në vlerë 56,100.00 €, pronësia e përbashkët”, thuhet në deklarim të pasurisë.

Ndaj ministres Hajdari, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor 2025 lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”.

Hajdari akuzohet për kryerjen e dy veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Bashkë me të po akuzohen ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si ‘Ridi’, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar’”.