Kryesia e AAK-së: Vendit i duhen zgjedhje të jashtëzakonshme në rrethanat aktuale
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotme të kryesisë së partisë kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe për përgatitjet për proceset e ardhshme politike, përfshirë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Kryesia e AAK-së konstatoi se gjendja aktuale në vend është alarmante, siç thanë nga ky subjekt politik, pa qeveri legjitime dhe pa funksionim të duhur të institucioneve.
Sipas AAK-së, kjo situatë e rëndë politike dhe institucionale kërkon veprim të menjëhershëm.
“Në këto rrethana, zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, që qytetarët të rikthejnë legjitimitetin dhe besimin në institucionet e tyre”.
“Në këtë frymë, Kryesia miratoi kriteret për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe nisjen e përgatitjeve në nivel të degëve për zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në njoftim.
AAK-ja thekson se nuk do të jetë pjesë e asnjë procesi që e shkel Kushtetutën dhe e deformon rendin demokratik.
Kjo parti politike kërkon që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë.
“Aleanca nuk do të lejojë që Qeveria në detyrë të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë më. Ne mbrojmë integritetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës.”
“Vendi ka nevojë për një buxhet të qeverisë legjitime, jo të qeverisë në ikje. Kjo nuk është çështje teknike, por parimore: s’ka buxhet pa Qeveri, s’ka vendimmarrje pa mandat dhe s’ka demokraci pa respektim të Kushtetutës”, thekson AAK-ja.
Në pjesën e dytë të takimit, thuhet se fillimisht u vlerësua lart suksesi i AAK-së në zgjedhjet lokale. Ardian Gjini, Bali Muharremaj, Smajl Latifi, Bashkim Ramosaj dhe Zenun Elezaj “dëshmuan se qeverisja e tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë model i transformimit komunal duke konfirmuar besimin e qytetarëve me fitore të merituara e qeverisje të suksesshme”.