Haradinaj: Konjufca na ftoi për takime, por nuk shkuam
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë për takim nga Glauk Konjufca dhe zyra e tij, por nuk ka shkuar.
Në një konferencë për media pas takimit të kryesisë së partisë, ai ka theksuar se takimet për të cilat ai dhe kolegët e tij të AAK-së morën ftesë, nuk ishin serioze.
“Kanë kërkuar të kemi komunikim zotëri Konjufca ose zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim ose konsultë me kolegët tanë ose me mua në këtë rast, por nuk e shohim të nevojshme të shkojmë në takime”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar: “Ta zëmë si ajo shprehja ‘Qitma votën si vëlla se e du Kosovën’. Kosovën nuk e do vetëm një person; të gjithë e duam, dikush më shumë ndoshta. Por nuk ka diçka serioze në qasjen e tyre. Nuk besoj se, edhe sikur të kishte një propozim bashkëpunimi, ju e dini qëndrimin tonë”.
“Prapë nuk ka asnjë propozim për bashkëpunim apo ndarje të përgjegjësive, siç është logjika në këto raste. Nuk jam takuar, nuk e fsheh, dhe nuk planifikoj të takohem për këtë zhvillim”, ka përfunduar Haradinaj.