Motra e Andon Janaqit që u gjet i vdekur në Francë: Fola me të në telefon, ishte i stresuar

Motra e Andon Janaqit që u gjet i vdekur në Francë: Fola me të në telefon, ishte i stresuar

Aktuale November 14, 2025 - 23:59

Paola Janaqi, motra e 36-vjeçarit shqiptar që u gjet i vdekur në banesë bashkë me gruan e tij, ka bërë thirrje që trupi i vëllait të saj të sillet në Shqipëri.

Ajo zbuloi detaje nga ngjarja tragjike, duke thënë se me vëllanë kishte folur një ditë para ngjarjes, dhe se i kishte thënë që kishte dalë për xhiro pasi ishte i stresuar.

Më tej, ajo tha për Top Channel se e kishte telefonuar më vonë, por nuk i ishte përgjigjur thirrjeve.

“Unë dua që vëllanë ta sjellin këtu, se nuk kemi kushte, se mamaja nuk ka me një rrogë me lan borxhet, s’ka ç’të bëjë vetë. Dua vetëm vëllanë ta sjellin këtu, nuk duam gjë tjetër. Me vëllain folëm dje, më tha që mirë jam, po dal një xhiro se jam shumë i stresuar. Kishte si ankth, trembje, kaq më tha. Flasim më vonë më tha, dhe nuk më telefonoi. I telefonova 2-3 herë, por nuk ma hapi më. Sot e mora vesh, më erdhën, më thanë ‘vdiq vëllai, të bëheni të fortë’, kaq më thanë mua”.

“Nuk dinim që kishte konflikte; sa herë që flisnim, thoshte ‘mirë jemi, ti mos ki merak’, kaq folëm dhe nuk më mori më në telefon. Kanë dy fëmijë. Thonë që fëmijët do t’i marrë shteti, ne duam që fëmijët t’i marrim këtu; i duam një ne dhe një nga gjyshja tjetër. I kemi plagë në zemër fëmijët. Fëmijët janë 9 vjeç dhe 3 vjeç. Nuk kemi folur dhe nuk duam të flasim me familjarët e nuses”, u shpreh ajo.

Andon Janaqi (36 vjeç) dhe Anjeza Zeneli (30 vjeçe), çifti shqiptar me origjinë nga Korça, u gjetën pa shenja jete brenda banesës së tyre në Francë.