Thirrjet kundër gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në Strasburg

Thirrjet kundër gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në Strasburg

Aktuale November 16, 2025 - 13:22
Strasburgu vishet kuqezi, shqiptarët kërkojnë drejtësi për çlirimtarët

Pas protestave në disa qytete të ndryshme të Evropës, tani ankesat kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë drejtuar në Strasburg të Francës, para asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Sipas mediave lokale, në këtë protestë besohet se do të marrin pjesë rreth gjashtë mijë persona.

Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, është shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Para Strasburgut, protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Tiranë, Hagë e Prishtinë.

Protesta në Stasburg u tha nga organizatorët se i bën bashkë shqiptarët “aty ku nisi saga e padrejtë ndaj historisë sonë”.

Një raport i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendonte se udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99, kishin qenë të përfshirë në trafikim me organe.

Kjo, në vitin 2015, kishte çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë.

Gjykimi në Hagë

Gjykimi ndaj Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023, tri vjet pasi ishin arrestuar dhe dërguar në mbajtje në gjykatën e Kosovës në Hagë.

Tani, më shumë se dy vjet më vonë, gjyqi ndaj tyre po shkon drejt përfundimit, pasi tani mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur dëshmitarët e saj.

Në mbrojtje të dëshmuan në shtator ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, Chris Hill, dhe ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK-në.

Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve. /Rel