Shqipëria hap të hënën grup-kapitullin e fundit të negociatave me BE-në
Shqipëria do të hapë zyrtarisht të hënën, më 17 nëntor 2025, grup-kapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me “Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”. Hapja e këtij grupkapitulli do të formalizohet gjatë Konferencës së 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Shqipëria arriti të pamendueshmen , të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh – rekord absolut në procesin e integrimeve europiane”, e vlerësoi këtë moment Kryeministri Rama, i cili do të marrë pjesë të hënën në konferencën ndërqeveritare, së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar për të çelur negociatat për Grup-Kapitullin e 5-të.
Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
Deri tani, Shqipëria ka hapur kapitujt “Themelet e demokracisë”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregu i Brendshëm”, “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse” si edhe “Axhenda e Gjelbër”.
Çfarë përfshin grup-kapitulli i 5-të dhe çfarë do të përfitojë Shqipëria?
Grupkapitulli V përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:
“Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);
“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);
“Peshkimi” (kapitulli 13);
“Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22),
“Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33)
Përmes këtij Grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor. Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.
Në komponentin e kohezionit, Shqipëria adreson rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe përgatitjen për pjesëmarrje efektive në politikat e zhvillimit rajonal.
Ndërkohë, kapitulli për dispozitat financiare dhe buxhetore përfshin përputhjen me praktikat europiane për transparencë, planifikim buxhetor dhe administrim të fondeve publike.
Hapja e Grup-Kapitullit V përfaqëson një hap vendimtar drejt afrimit përfundimtar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke konsoliduar progresin e bërë dhe duke krijuar bazën për reforma më të thelluara në sektorët që mbështesin ekonominë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Objektivi i shpallur nga qeveria shqiptare është që deri në vitin 2027 të përmbyllet tërësisht faza e negociatave dhe në vitin 2030 Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. Edhe nga Brukseli zyrtar ka ardhur një vlerësim pozitiv, duke u shprehur se ky objektiv është i arritshëm nëse vendi vijon me ritmin aktual të reformave./rtsh