Nesër dy seanca, e para në 11:00 e dyta në 14:00 për votimin e Qeverisë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që nesër të mblidhen në dy seanca të jashtëzakonshme në sallën plenare.
E para do të jetë nga ora 11:00 ku si pikë e parë është renditur formimi i Komisioneve Parlamentare e më pas edhe tetë pika të tjera përfshirë atë për Buxhetin e vitit 2026, buxheti për RTK-në, si dhe ai për tri komuna, Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok
Pas saj pritet që nga ora 14:00, të jetë tjetra seancë e jashtëzakonshme, ajo për zgjedhjen e qeverisë së re.
Kështu ka bërë të ditur Kuvendi i Kosovës në faqen zyrtare.
Ky është rendi i ditës që Kuvendi e ka paraqitur për seancën e parë që është planifikuar të jetë nga ora 11:00.
1. Formimi i komisioneve parlamentare,
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,
8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,
9. Çështja e financimit të RTK-së.
Ndërkohë seanca e dytë është me të vetmen pikë, zgjedhja e qeverisë së re.
“Seancë e jashtëzakonshme. Rendi i ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Vendi: Salla e seancave. Koha: 14:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.