Shtimja shpall gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut
Komuna e Shtimes ka shpallur gjendje emergjente pas reshjeve të dendura të shiut.
Ky vendim erdhi pas daljes në terren të kryetarit të kësaj komune, Qemajl Aliu, raporton Zeri.info.
“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, u shpreh Aliu.
“Gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.
Nga orët e hershme të mëngjesit, të gjitha drejtoritë komunale me njësitë dhe shërbimet vartëse, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Policisë, janë angazhuar maksimalisht për ta mbajtur situatën nën kontroll.
Në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situates”, thuhet në njoftim. /Zëri