Begaj takohet me presidentin çek, e falënderon për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës

Begaj takohet me presidentin çek, e falënderon për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës

Aktuale November 19, 2025 - 16:10

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Çeke me ftesë të Presidentit Petr Pavel. Kreu i Shtetit u prit në një ceremoni solemne në Pragë.

Fillimisht, zhvilloi takimin kokë më kokë më homologun Pavel dhe pas takimit me praninë e delegacioneve përkatëse u mbajt konferenca e përbashkët për mediat.

Integrimi i Shqipërisë në BE, mbështetja e Republikës Çeke në këtë proces, thellimi i bashkëpunimit ekonomik e kulturor, çështje të sigurisë evropiane dhe Euroatlantike ishin në fokus të këtyre takimeve.

Presidentët Begaj dhe Pavel konfirmuan angazhimin për forcim të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Çekisë për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe për paqen e stabilitetin në Evropë.

Duke iu referuar lidhjes së miqësisë dhe solidaritetit mes dy popujve dhe marrëdhënieve diplomatike 103-vjeçare, Presidenti Begaj theksoi se bashkëpunimi po shënon një kapitull të ri, të bazuar në partneritet, vlera të përbashkëta demokratike dhe aspirata evropiane.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE ishte fokusi i bisedës mes dy Presidentëve. Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Republikës Çeke gjatë dy Presidencave të saj në Bashkimin Evropian në vitin 2009 dhe në vitin 2022.

Presidenti Begaj theksoi momentin kyç të aplikimit të Shqipërisë për në BE gjatë Presidencës së parë, si dhe arritjet shenjuese për integrimin gjatë Presidencës së dytë të Republikës Çeke në Bashkimin Evropian.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Çeke i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Këtu në Pragë, në vitin 2009, Shqipëria dorëzoi aplikimin zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çekia ka qenë dhe mbetet një zë i fortë në Bashkimin Evropian për zgjerimin e bazuar në meritë dhe gjtihëpërfshirës. Çekia është një mbështetëse e palëkundur e Shqipërisë në rrugën evropiane. Kjo tregohet edhe nga emërimi i të Dërguarit të Posaçëm i Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor. Ky është një tregues tjetër i rëndësishëm i vëmendjes ndaj Shqipërisë dhe ndaj integrimit të të gjithë rajonit”, – deklaroi Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit falënderoi homologun e tij edhe për interesin e shtuar në nxitjen e integrimit të rajonit tonë në BE.

“Vlerësojmë Presidencën Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian për organizimin në Tiranë të Samitit të Parë të Udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, me fokus nxitjen e procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe hapjen për herë të parë të Konferencës Ndërqeveritare”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj falënderoi Presidentin çek për mbështetjen që Çekia ka bërë Kosovës, duke vlerësuar edhe faktin që për herë të parë një Ambasador i Republikës së Kosovës paraqiti Letrat Kredenciale te Presidenti Pavel.

“Çmojmë, gjithashtu, që gjatë Presidencës çeke u realizua liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës. Shqipëria i është mirënjohëse Çekisë për hapat pozitivë në drejtim të marrëdhënieve me shtetin më të ri të Evropës, të Kosovës, ku dëshiroj të falënderoj Presidentin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Pragë”, – theksoi Presidenti.

Një pjesë e rëndësishme e takimit mes Presidentëve Begaj-Pavel iu kushtua bashkëpunimit ekonomik, rritjes së volumit të shkëmbimeve tregtare, investimeve të drejtpërdrejta çeke në Shqipëri dhe rezultateve të bashkëpunimit në turizëm.

“Çdo vit Shqipëria mirëpret mijëra turistë nga vendi juaj dhe e konsiderojnë Shqipërinë një destinacion të përvitshëm, të dashur dhe mikpritës, kjo falë edhe fluturimeve direkte që ka ndërmjet Tiranës dhe Pragës”, – deklaroi Presidenti Begaj duke theksuar se Shqipëria është e gatshme të zgjerojë këtë bashkëpunim përtej turizmit, drejt teknologjisë, inovacionit, energjisë së pastër, arsimit dhe kulturës.Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj u prit në takime të veçanta nga Zëvendëspresidenti i Senatit, Jiri Drahos, Presidenti i Dhomës së Deputetëve, Tomio Okamura, dhe Kryeministri në detyrë i Republikës Çeke, Petr Fiala.