Kelmendi: Asnjëherë s’kam qenë në Reçak para vitit 2001, shkrimet e fundit janë të pavërteta dhe shpifje

Kelmendi: Asnjëherë s’kam qenë në Reçak para vitit 2001, shkrimet e fundit janë të pavërteta dhe shpifje

Aktuale November 19, 2025 - 16:45

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se janë të pavërteta dhe shpifje shkrimet që janë publikuar në media ditëve të fundit.

“Më vejn shumë keq që një portal i njohur “Paparaci” po vazhdon të raportoj të pavërteta. Lajmet e publikuara janë të pavërteta dhe tendencioze. Të dhënat janë plotësisht gënjeshtra. Unë kam pasur kësi shkrime dhe më herët nga i njëjti portal nga pronari i saj Vehbi Kajtazi”, tha Kelmendi.

U.d i kryeprokurorit hodhi edhe akuza të rënda ndaj gazetarit Kajtazi.

“Arsyeja pse ai shkruan dhe shpif për mua, është se ai ka qenë te unë për të pasur përfitime. Pasi që refuzova këto kërkesa dhe tentativa të tij për të ushtruar ndikim në punën time, ai më ka dërguar edhe SMS shantazhues për të cilat ka qenë i njoftuar edhe ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi”, u shpreh Kelmendi në konferencë për media.

Kelmendi thotë se jo rastësisht ky portal sot shkruajti një artikull kundër tij.

“Për të thënë gjëra që kurrë në jetën time nuk i kam bërë as që kisha guxuar ti bëjë. Çfarëdo pretendimi i Vehbi Kajtazit në shkrimin e tij tregon që gjërat janë krejtësisht ndryshe. Më vjen mirë që sot mu ka dhënë mundësia që në Prokurorinë Speciale të jap një deklaratë e cila konfirmon gjithë atë që po e them sot para juve”, tha Kelmendi, duke theksuar se ka dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit.

Ai shtoi se kurrë në jetën e tij e deri në vitin 2001 nuk ka qenë në fshatin Reçak, e as nuk ka qenë gjyqtarë as prokuror para vitit 2000 kur është zgjedhur për herë të parë gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

“E kisha fatin që të jem gjyqtarë bashkë me dy gjyqtarë ndërkombëtar dhe një prokuror ndërkombëtar në rastin e Reçakut ku është akuzuar një pjesëmarrës në kryerjen e vrasjeve dhe i cili falë kontributit tim është shpallur fajtor dhe sot kemi aktgjykim të formës së prerë për këtë të akuzuar”, tha Kelmendi.

Ndryshe lidhur me raportimet ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve, ku ka kërkuar nga media që e ka publikuar këtë lajm që të raportojë me korrektësi, pa shtrembërime dhe pa spekulime.

“Publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe mënyra e paraqitjes së tyre në opinion rrezikon të krijojë perceptime të dëmshme ndaj Prokurorit të Shtetit dhe është i papranueshëm”, thuhej në reagim.