Ministri gjerman i punëve të jashtme e bën publike preferencën e tij muzikore: Jam fans i Dua Lipës
Në një video të xhiruar në avionin qeveritar, pas kthimit nga vizita në 6 vendet e Ballkanit, Johann Wadephul, tregon telefonin e tij mobil: në playlistën e tij shihet albumi Radical Optimism i Dua Lipës.
Wadephul zbulon edhe një sekret: “Kam pasur një biletë për të shkuar me vajzën time më të voglën në koncertin e saj, por pastaj u bëra ministër i jashtëm”.
Në vijim postimi i ministrit të jashtëm gjerman në Instagram lidhur me vizitën e tij në vendet e Ballkanit: “Pas meje qëndron një udhëtim intensiv në Ballkanin Perëndimor dhe ai tregoi edhe një herë se sa vendimtar është ky moment për Evropën.
Bëhet fjalë për pyetjen se si duam ta formësojmë sigurinë dhe të ardhmen e kontinentit tonë. Sepse pikërisht tani, në një kohë kur agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës vazhdon me gjithë ashpërsinë, nuk guxojmë t’ia lëmë lagjen tonë të afërt ndikimit të shteteve autoritare.
Në qendër të bisedave të mia në të gjitha këto vende ishte procesi i anëtarësimit në BE. Sepse të gjashtë vendet duan që në të ardhmen t’i përkasin BE-së, komunitetit tonë të paqes dhe vlerave.
Dhe këtu vlen parimi: Nuk mund të ketë rrugë të shkurtër. Të gjitha kriteret duhet të plotësohen para se të mund të ketë anëtarësim - nga funksionimi i shtetit ligjor, te lufta efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e deri te forcimi i të drejtave themelore demokratike.
Por: Kur përpjekjet reformuese janë të dukshme dhe zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, ato duhet edhe të vlerësohen, me një perspektivë të vërtetë brenda BE-së. Pikërisht Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë përparime të mëdha vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, nuk nevojiten vetëm përparime në rajon.
Edhe vetë BE-ja duhet të jetë e gatshme për reforma - nëpërmjet proceseve më efikase të vendimmarrjes, për shembull më shumë vendime me shumicë të kualifikuar. Vetëm kështu Evropa mbetet e aftë të veprojë dhe e gatshme për anëtarë të rinj. Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane. Dhe Gjermania mbetet një partner i besueshëm në rrugën e përbashkët drejt BE-së. /telegrafi