Cakolli tregon se cilat janë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme

Cakolli tregon se cilat janë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme

Aktuale November 19, 2025 - 20:35

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se sa më shumë që presidentja e vonon shpalljen e datës së zgjedhjeve, aq më shumë rritet rreziku për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm.

“Çdo ditë e humbur sot i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe e afron vendin me skenarë të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal”, ka shkruar ai.

Sipas Cakollit, edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht konsistente në mënyrën se si përcaktojnë dhe përllogarisin afatet, datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sipas tij, mbeten 21 dhe 28 dhjetori.

“Por, nëse konsultimet dhe vendimmarrja përkatëse e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, edhe 21 dhjetori bie si opsion, duke i shtyrë zgjedhjet potencialisht drejt janarit. E zgjedhjet në janar përbëjnë rrezik shumëfish më të madh, sepse nëse ato nuk mbahen brenda këtij viti, zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo edhe për shkurt”.

Prandaj, sipas Cakollit të KDI-së, mbajtja e zgjedhjeve në dhjetor, madje sa më herët që të jetë e mundur, është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja dhe për të zvogëluar presionin kohor për formimin e institucioneve, të cilat, siç thotë ai, duhet të përmbyllen patjetër në ditët e para të marsit.

“Sa më shumë të vonohet shpallja e datës, aq më afër skajit të afateve kushtetuese shtyhet vendi, me të gjitha rreziqet që i sjell një skenar i tillë”, ka shkruar Cakolli.