Krasniqi: Shkarkimi i Kelmendit bazohet në energji të puçit institucional, prapa këtij organizimi qëndron Isufaj

Krasniqi: Shkarkimi i Kelmendit bazohet në energji të puçit institucional, prapa këtij organizimi qëndron Isufaj

Aktuale November 20, 2025 - 13:52

Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka thënë se nuk ka pasur njoftim për vazhdimin e mbledhjes, në të cilën u shkarkua Besim Kelmendi nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Kosovës.

Krasniqi, sikurse edhe Kelmendi, tha se prapa kësaj qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, pa çka ka i ka bërë thirrje AKI-së që ta vlerësojë situatën dhe ruajtjen e sigurisë juridike në vend.

Megjithatë, ai theksoi se Besim Kelmendi do të vazhdojë detyrën, meqenëse sipas tij nuk ka vendim të ligjshëm.

Po ashtu, në konferencën për media, ai i bëri thirrje edhe Policisë së Kosovës që t’i sigurojnë anëtarët e KPK-së, ndërsa Besim Kelmendi tha se ka respekt për Blerim Isufaj, ani pse parafolësi i tij e ri potencoi deklaratën e tij për të.

“Prapa gjithë këtij planifikim, organizimi qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Kjo situatë dëshmon se largimi i pesë anëtarëve nuk ka qenë bojkot apo sabotim por një ndërhyrje e domosdoshme për të mbrojtur ligjin dhe për të parandaluar një vendim të paligjshëm që do t’i shkaktonte dëm serioz sistemit prokurorial. Andaj përmes kësaj konference ftojmë institucionet relevante të vlerësojnë shkeljet e kryera sot nga pesë anëtarët e KPK. Ftojmë AKI-në për të vlerësuar situatën dhe ruajtën e sigurisë juridike në vend, institucion ky që tashmë KPK e ka larguar nga aktet normative të komunikimit me të. Po ashtu ftojmë Policinë e Kosovës që të kujdeset për nivelin e sigurisë për anëtarët që jemi këtu”, tha ai.

Teksa tha se Kelmendi do të vazhdoj mandatin, ai tha se shkarkimi i tij është tendencë për të marrë kompetencat në kundërshtim me ligjin.

“Kryeprokurori i Shtetit, zoti Besim Kelmendi, vazhdon detyrën. Përderisa nuk ekziston një vendim i ligjshëm, u.d. i kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi vazhdon mandatin në përputhje me ligjet në Kosovë, sepse vendimi i sotëm është pa efekt juridik. Vendimi i sotëm është i papranueshëm, i paligjshëm dhe është tentativë e qartë për marrje të kompetencave në kundërshtim me ligjin. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së ligjshmërisë”, deklaroi ai.

Besim Kelmendi tha se do të ndërmarrin gjitha veprimet juridike për të treguar se ky vendim është kundërligjshëm.

Image

“Unë s’kam marrë vendimin dhe atëherë janë të drejtat e mia ligjore për t’iu drejtuar organeve kompetente dhe ato kanë të drejtën e vet që këtë vendim ta pezullojnë, apo ta shqyrtojnë dhe varësisht nga vendimet e gjykatës do të veprojnë. Unë rezervohem dhe nuk përmendi emra, por ju besoj e keni kuptuar se për kë po bëhet fjalë”, tha Kelmendi.

Ndërsa sa u përket aludimeve për Blerim Isufajn, ai tha se ka respekt për të dhe nuk e dinë se si do të veprojë.

“Atyre pesë vetëve që kanë votuar në mënyrë të kundërligjshme sot, u duhet një njeri që do të votojë sipas dëshirave të tyre. Nuk aludoj në kolegun tim, i cili sipas atij vendimit të kundërligjshëm është caktuar kam shumë respekt të madh për të dhe nuk di si do të veprojë ai kur ta merr vendimin. Nuk kam asnjë vërejtjet ndaj punës së tij. Këtu kanë nevojë për kuorum, për atë ju duhet një njeri më tepër. Jo si do të votojë, por thjesht ju duhet një diçka që nuk e patën, pra për të marrë pjesë në takim dhe të kenë kuorumin dhe të marrin vendimet si dëshirojnë”, deklaroi ai. /eo