Osmani: Vendimin për 28 dhjetorin e mora me vetëdije të plotë
Presidentja Vjosa Osmani në konferencën për media, ku edhe bëri publike se data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare do të jetë 28 dhjetori, u pyet nga gazetarët nëse ky vendim është marrë me vetëdije të plotë nga ajo, raporton Zeri.info.
Osmani theksoi se vendimi për këtë datë është marrë me vetëdije të plotë nga ana e saj dhe se ky është një vendim në të mirë të mërgatës dhe të gjitha partive politike.

“Zëri” jua sjell të plotë përgjigjen e Osmanit:
E para, unë besoj se kjo është një pyetje ofenduese, të cilën besoj se kurrë një burri nuk do t’ia kishe bërë, sepse ti kurrë një burri nuk i thua po vepron pa vetëdije. Një pyetje të tillë ia bëni vetëm një gruaje. Dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, që asnjë vendim përgjatë gjithë karrierës sime politike nuk e marrë pa vetëdije, pra e kam marrë me vetëdije të plotë, me besim të plotë që ky vendim është vetëm e vetëm në interes të Republikës së Kosovës, e para. E dyta, të gjitha partitë kanë thënë se nuk janë kundër mërgimtarëve, nuk janë kundër mërgatës. Pra pse ju po paragjykoni se mërgata është vetëm në favor të një partie. Dhe e fundit, këto janë zgjedhje të reja. Partitë kanë deklaruar se nuk janë kundër mërgatës dhe siç e thashë, si presidente kam një detyrim që të zgjedh një datë kur kemi pjesëmarrje më të madhe e jo pjesëmarrje më të vogël të qytetarëve me të drejtë vote. Dhe sipas ligjit që e kanë miratuar po këto parti politike, mërgata ka të drejtë të barabartë me votë me të gjithë qytetarët që jetojnë çdo ditë në Kosovë. Kjo është e drejtë e garantuar me ligj, të cilën ua kanë dhënë të gjitha partitë shqiptare pa dallim. Pra ata kanë të drejtë të votojnë dhe në qoftë se kanë të drejtë të votojnë e janë në Kosovë në atë datë, janë më se të mirëseardhur. Se kur mërgata po investojnë në Kosovë, kur po dërgojnë remitanca në vlerë të buxhetit të Republikës së Kosovës, kur po investojnë në biznese që po krijojnë vende të punës të gjithë po i duam, rrjedhimisht duhet t’i duam edhe kur vijnë t’i vizitojnë familjet, edhe datën e zgjedhjeve. Unë jam presidente edhe e tyre dhe do ta mbroj të drejtën e tyre deri sa të jem në politikë pavarësisht në çfarë pozicioni jam në politikë. Por ju siguroj se vendimet janë me vetëdije, asnjëherë pa vetëdije. /Zëri