Marta Kos vlerëson të arriturat e Shqipërisë drejt BE-së: Një punë e shkëlqyer
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka pritur të enjten në një takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, për të biseduar mbi ecurinë e integrimit evropian dhe prioritetet e këtij procesi pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Gjatë takimit, Kos vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë progres mbresëlënës.
“Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Evropën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE”, u shpreh ajo.
Peleshi ndërkaq nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian, duke e cilësuar atë si prioritet madhor dhe objektiv strategjik kombëtar.
“Integrimi evropian ka rrënjë në historinë dhe identitetin tonë, në moton e rilindasve ‘për Shqipërinë dielli lind nga perëndon’. Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si Kryetar i Kuvendit do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim”, u shpreh ai.
Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për të çuar përpara ritmin e negociatave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane.