Haxhiu mirëpret zgjedhjet më 28 dhjetor: Opozita ka frikë nga mërgata
Ish-ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar rreth caktimit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të dhjetorit të këtij viti.
Haxhiu ka kërkuar votat e shumicës së qytetarëve, megjithatë nuk ka bërë slogane e premtime sikurse në zgjedhjet e kaluara kur VV kërkonte 500 mijë vota.
Ish-ministrja theksoi se qytetarët e kanë parë që VV duhet të qeverisë e vetme për shkak të veprimeve inatçore të opozitës.
“Besoj që tashmë qytetarët e kanë parë se sa është e rëndësishme që VV të mos varet nga subjektet e tjera politike, kërkesat e të cilëve janë në shpërputhje me fuqinë politike që e kanë. Është e rëndësishme të mos varemi nga subjektet tjera politike që për shkak të inateve me Kurtin e VV e lanë vendin pa buxhet e pa marrëveshje ndërkombëtare shumë të rëndësishme. Ata nuk udhëhiqen nga parimet”, tha Haxhiu.
E pyetur lidhur me datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve, Haxhiu tha se është e nevojshme për vendin që të ketë sa më shumë qytetarë që ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“E mirëpresim caktimin e zgjedhjeve më 28 dhjetor, është një datë e përshtatshme për të mbajtur një proces zgjedhor. Në çdo proces zgjedhor e ka synim që sa më shumë qytetarë të RKS të marrin pjesë në zgjedhje. Na befason qasja e partive opozitare, për shkak se kundërshtuan datën e zgjedhjeve dhe nuk kuptoj pse kanë frikë nga mërgata dhe i ftoj ata që ta braktisin këtë gjuhë”, tha ajo. /dukagjini