Linja 3A pezullon qarkullimin: Jemi në prag të kolapsit financiar

Linja 3A pezullon qarkullimin: Jemi në prag të kolapsit financiar

Aktuale November 21, 2025 - 15:17

Linja 3A ka njoftuar se do të pezullojë përkohësisht qarkullin e autobusëve.

Sipas njoftimit, pezullimi do të bëhet përkohësisht deri në zgjidhjen e çështjeve aktuale financiare, me të cilat po përballet komuna shkaku i mungesës së buxhetit.

Postimi i plotë:

Qendra SHPK – Linja 3A Prishtinë

Të nderuar qytetarë dhe udhëtarë,

Ju njoftojmë se Kompania Qendra SHPK, Linja 3A, është e detyruar të pezullojë përkohësisht qarkullimin e autobusëve deri në zgjidhjen e çështjeve aktuale financiare me të cilat po përballet kompania.

Lajmërohen të gjithë pasagjerët e Linjës 3A: Kodra e Trimave – Muharrem Fejza – Matiçan – Zllatar se pezullimi i përkohshëm i qarkullimit vjen jo nga dëshira jonë, por si imponim i situatës së krijuar tash e 7 muaj, për arsye se nuk na janë paguar shërbimet tona për të njëjtën periudhë.

Si rezultat i mosshlyerjes së këtyre obligimeve, kompania është afruar në prag të një kolapsi financiar, pasi bart mbi vete detyrime të mëdha ndaj furnizimeve me naftë, mirëmbajtjes teknike, pagave të punëtorëve, kredive, qirasë dhe shumë obligimeve të tjera operacionale.

Lusim Komunën e Prishtinës, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhjeje urgjente në lidhje me buxhetin, sepse ndalja e transportit publik në Kryeqytet do ta paralizojë të gjithë qytetin dhe do të krijojë pasoja të rënda për mijëra qytetarë që varen nga ky shërbim.

Për çdo ndryshim ose informacion të ri, do t’ju njoftojmë menjëherë përmes kanaleve tona zyrtare.

Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju falënderojmë për durimin e bashkëpunimin.

Me respekt,

Qendra SHPK – Linja 3A Prishtinë