Eurodeputetja: Shqipëria jep shpresë për integrimin në BE, për Kosovën ka pengesa
Foto: Laura Hasani

Eurodeputetja: Shqipëria jep shpresë për integrimin në BE, për Kosovën ka pengesa

Aktuale November 21, 2025 - 21:11

Eurodeputetja sllovene Irena Joveva deklaroi se për Kosovën ka gjithmonë pengesa kur vjen puna tek progresi për integrim.

Ajo tha se dialogu mbetet një nga çështjet kyçe duke kërkuar nga liderët e dy vendeve të zbatojnë marrëveshjet e arritura.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është, qartësisht, një nga çështjet kyçe që duhet zgjidhur. Kjo vlen për të dyja palët. Pra, si Kosova, ashtu edhe Serbia. E dimë që Serbia nuk ka bërë asnjë përparim, jo vetëm sa i përket dialogut, por edhe në shumë fusha të tjera. Situata në Serbi është vërtetë shumë e keqe dhe në përkeqësim. Ndërsa sa i përket Kosovës, ka gjithmonë pengesa”, tha eurodeputetja Irena Joveva.

Joveva, pjesë e Grupit Ripërtëritja e Europës në Parlamentin Europian, tha se përkundër problemeve mes dy vendeve tashmë historia ka dëshmuar që të gjitha çështjet mund të zgjidhen.

Ajo kërkoi nga Bashkimi Europian të jetë gjithashtu në krye të detyrës.

“Ndoshta edhe Bashkimi Europian mund të ndryshojë qasjen në këtë pikë. Po flas kryesisht për mënyrën e komunikimit. Në fakt, kam ndjesinë se Komisioni Europian, konkretisht Komisionerja për Zgjerimin, znj. Kos, po bën një punë të mirë. Dhe besoj se kjo do të reflektohet edhe për Kosovën, herët a vonë. Pra, mendoj se qasja po ndryshon, sidomos nëse e krahasoj me komisionerin e mëparshëm nga Hungaria, i cili nuk ishte shembull i mirë as për komunikimin, as për veprimet”, shtoi ajo.

Në lidhje me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane, Joveva tha se Shqipëria mund të jetë “dritë në fund të tunelit” dhe shpresë për të gjitha vendet e tjera kandidate për se zgjerimi është prioritet.

“Situatën në Ballkanin Perëndimor sot e shoh si një moment serioz për të shfrytëzuar vrullin e procesit të zgjerimit, për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe faktit që zgjerimi është, më në fund pas kaq shumë vitesh, shumë, shumë lart në agjendën e Bashkimit Evropian. Dhe unë me të vërtetë u bëj thirrje shteteve të rajonit dhe vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor që ta shfrytëzojnë këtë moment dhe të jenë sa më konstruktivë, sepse besoj fort, veçanërisht për Malin e Zi dhe Shqipërinë, se ato janë një lloj ‘drite në fund të tunelit’ edhe për vendet e tjera kandidate”, deklaroi eurodeputetja.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2023 por kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar, kryesisht për shkak të kundërshtimit të vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën./A2 CNN