Reuten i ashpër ndaj BE-së: Hiqni menjëherë masat ndaj Kosovës dhe procesoni aplikimin për anëtarësim

Reuten i ashpër ndaj BE-së: Hiqni menjëherë masat ndaj Kosovës dhe procesoni aplikimin për anëtarësim

Aktuale November 22, 2025 - 18:10

Europarlamentari Thijs Reuten ka bërë thirrje të fortë Komisionit Evropian që t’i propozojë shteteve anëtare heqjen urgjente të masave ndaj Republikës së Kosovës, ndërsa njëkohësisht të nis edhe procedurimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përmes një reagimi në platformën “X”, Reuten theksoi se nuk ka asnjë arsye që BE-ja të vazhdojë zvarritjen e këtij procesi.
“Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e menjëhershme të masave kundër Kosovës dhe të fillojë përpunimin e kërkesës për anëtarësim në BE”, ka shkruar ai.

Kujtojmë një ditë më parë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nga Tirana përsëriti se masat janë të padrejta dhe se është hera e fundit që i adresohet kësaj çështjeje para përfaqësuesve të BE-së.

Në prani të Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësi, Gert Jan Koompan, Kurti deklaroi se prej 18 muajsh masat po dëmtojnë padrejtësisht Kosovën dhe duhet të hiqen pa vonesë.

Ndërkohë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të presidente­s Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti që të ketë progres në aplikimin për anëtarësim, Bashkimi Evropian nuk ka bërë asnjë lëvizje konkrete që nga dorëzimi i aplikimit para tre vitesh.

Reuten, një prej zërave më pro-Kosovë në PE, ka theksuar disa herë se BE-ja duhet të jetë e drejtë dhe konsistente me shtetet që i kanë përmbushur kriteret demokratike dhe sundimin e ligjit.