IHMK-ja aktivizon alarmin e verdhë, mundësi për vërshime
Foto: Laura Hasani

IHMK-ja aktivizon alarmin e verdhë, mundësi për vërshime

Aktuale November 22, 2025 - 19:13

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se ka aktivizuar nivelin e alarmit të verdhë për reshje të dendura dhe rrezik potencial për vërshime.

Sipas parashikimeve të IHMK-së, situata pritet të prekë kryesisht Lumin Morava e Binçës dhe zonat përreth tij.

Reshjet e parashikuara pritet të fillojnë të shtunën rreth orës 18:00 dhe të zgjasin deri të dielën vonë. Gjatë kësaj periudhe mund të bien mbi 20 mm shi brenda 12 orëve, duke rritur mundësinë e tejkalimit të pragjeve hidrologjike të rrezikut.

Sipas IHMK-së, probabiliteti që lumenjtë të arrijnë pragun e rrezikut të kthimit 5-vjeçar është 51%, ndërsa ai i kthimit 20-vjeçar 2%.

Instituti thekson se, për shkak të reshjeve të ditëve të fundit dhe paqëndrueshmërisë së përgjithshme hidrometeorologjike, disa zona mund të jenë më të ekspozuara ndaj vërshimeve, sidomos pellgu i Moravës së Binçës (rreziku kryesor), pjesa veri-lindore (Pellgu i Llapit), pjesa qendrore (Pellgu i Sitnicës) dhe pjesa jugore (Pellgu i Lepencit).

Instituti paralajmëron qytetarët se moti është potencialisht i rrezikshëm, duke këshilluar që të kenë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të jashtme dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet e motit.

“Fenomenet e motit të parashikuara nuk janë të pazakonta, por kërkojnë kujdes. Qëndroni të informuar dhe shmangni rreziqet e panevojshme”, thuhet në njoftim.

Por, çfarë do të thotë “Alarmi i verdhë”?

Moti është potencialisht i rrezikshëm. Fenomenet e motit që janë parashikuar nuk janë të pazakonta, por kini kujdes nëse keni ndërmend të praktikoni aktivitete të ekspozuara ndaj rreziqeve meteorologjike. Qëndroni të informuar rreth kushteve të pritshme meteorologjike dhe mos merrni përsipër rreziqe të shmangshme.