Nga e hëna ndërpritet transporti publik në kryeqytet, Rama: Qeveria na ka bllokuar buxhetin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka ngritur shqetësime serioze për situatën financiare dhe institucionale në kryeqytet, duke thënë se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë hyrat vetanake të Kryeqytetit, shërbime jetike të Kryeqytetit. Bëhet fjalë për funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona. Më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.
“Sapo e përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, theksoi ai.
Rama u bëri thirrje institucioneve qendrore që të ndërhyjnë menjëherë për të zhbllokuar situatën.
“Në cilësinë e kryetarit të kryeqytetit, qytetarët janë përcaktuar që unë ta drejtoj edhe për një mandat. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve, zyrtarëve dhe ministrave: veproni. Zgjedhjet kanë përfunduar, tani është koha t’u kthehemi punës”, shtoi ai.