BE-ja, pa vendim nëse do të ketë monitorues në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Procesin zgjedhor të 28 dhjetorit është ende në pikëpyetje se a do të monitorojnë ndërkombëtarët. Presidentja e vendit thotë se është shumë sfiduese, sepse kështu ka qenë edhe kur ka pasur më shumë kohë se 30 ditë. Nga BE-ja nuk tregojnë se sa është numri i tyre për monitorim.
Brenda një viti për herë të katërt qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit.
E sa herë ka votim, qoftë për zgjedhje parlamentare dhe lokale, procesi zgjedhor vëzhgohet edhe nga ndërkombëtarët.
Por kësaj radhe nuk dihet nëse komisionarët e huaj do të marrin pjesë.
“Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sa i përket misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe meqenëse njoftimi u bë vetëm kohët e fundit, ne do ta konfirmojmë sapo të merret një vendim”, thonë nga BE-ja për Tëvë1.
Kështu tha edhe shefja e shtetit Vjosa Osmani në konferencën e së enjtes.
“Sa i përket datës 28 dhjetor, sa i përket vëzhgimit ndërkombëtar mundësia është edhe më vogël për datën 21 dhjetor për shkak që unë jam institucioni që gjithnjë i dërgoj kërkesë Bashkimit Evropian më konkretisht Parlamentit Evropian për të dërguar delegacione ata asnjëherë nuk kanë pasur mundësi që kur kemi zgjedhje të shkurta në afat të shkurtër të dërgojnë ekipe monitoruese të stilit çfarë na duhen neve madje edhe kur ka pasur edhe më shumë se tridhjetë ditë kur i kemi pasur dyzet të plota ka qenë shumë-shumë sfiduese. Pra kushdo që mendon që më datën 21 dhjetor neve brenda 30 ditësh do na vinin monitoruesit e ka shumë-shumë gabim, ne jemi në komunikim me Parlamentin Evropian do të dërgojmë kërkesa mirëpo unë kam biseduar edhe me ambasadorët individual me shumë prej ambasadave, jo me të gjithë ende sepse tash do të fillon procedura, ne nuk donim të paragjykonim rezultatin e djeshëm të seancës”, tha Osmani.
Por profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se monitorimi bëhet edhe përmes medieve.
Baraliu thotë se mund të mbahen shënime nga raportimet.
Nga Bashkimi Evropian nuk kanë treguar se sa është numri i vëzhguesve ndërkombëtar dhe si do të menaxhohet nga ta.