Pezullimi i të gjitha linjave të autobusëve shkakton kolona në kryeqytet, qytetarët pa zgjidhje
Transporti publik në Prishtinë është pezulluar sot (24 nëntor), pasi një pjesë e operatorëve që kanë kontratë me Komunën e Prishtinës kanë ndalur qarkullimin e linjave.
Sipas Komunës, pezullimi ka ardhur si pasojë e bllokimit të buxhetit nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Financave.
Megjithatë, Ministria ka reaguar, duke thënë se më 21 nëntor janë alokuar mjetet nga Thesari, të parapara për ekzekutimet e muajit dhjetor, duke mohuar se ka pasur bllokim të fondeve.
Në mungesë të një zgjidhjeje, mijëra qytetarë janë gjendur sot pa transport publik, duke pritur kot që autobusët të rifillonin qarkullimin.

Sipas operatorëve, linjat nuk do të funksionojnë – të paktën gjatë ditës së sotme – derisa Komuna e Prishtinës të kryejë pagesat e mbetura.
Pezullimi i transportit publik ka rënduar ndjeshëm qarkullimin në kryeqytet, duke shkaktuar kolona të gjata dhe vonesa të mëdha.

Deri tani nuk ka një afat të qartë se kur mund të normalizohet situata. /Telegrafi