“Kërkojmë pagat tona”, kryesindikalisti i “Trafikut Urban” me thirrje urgjente
Foto: Laura Hasani

“Kërkojmë pagat tona”, kryesindikalisti i “Trafikut Urban” me thirrje urgjente

Aktuale November 24, 2025 - 10:15

Kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban”, Elmi Gashi, po kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë protestës që po mbahet para Komunës.

Gashi tha se punëtorët po kërkojnë vetëm pagat dhe rimbursimin e dëmeve të shkaktuara ndër vite.

“E kemi një kërkesë të vetme, që në bashkëpunim me punëtorët, t’i ndihmoni si fëmijët tuaj. Derisa jeni i mandatuar si kryetar i Komunës, ne kemi ardhur të kërkojmë pagat tona, rimbursimin e dëmeve që na janë shkaktuar”, deklaroi ai.

Sipas Gashit, borxhet e “Trafikut Urban” janë të shumta dhe kërkohet zgjidhje.

“3 milionë e 220 mijë euro janë borxhet që Komuna ia ka ‘Trafikut Urban’. 1 milion e 600 mijë euro ia kemi borxh furnitorëve tanë. Nuk ka para për t’u shërbyer qytetarëve, nuk ka naftë, nuk ka paga. Punëtorët janë të diskriminuar. I lutem kryetarit dhe kujtdo tjetër që të dalë e të na presë këtu. Mos ta politizojmë këtë çështje, është çështje mbijetese për ‘Trafikun Urban’ dhe shërbimin ndaj rreth 60 mijë pasagjerëve në ditë”, tha ai.