Bllokada në Prishtinë, Abdixhiku: Pengmarrja e kryeqytetit, akti më i rëndë i Kurtit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është deklaruar për bllokadën që ka kapluar Prishtinën, pas pezullimit të trafikut urban dhe ndërmarrjeve të tjera private, me ç’rast u protestua sot para Komunës dhe Qeverisë.
Abdixhiku, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, thotë se me fundin e bllokadës 10-mujore të shtetit, sipas tij, LVV-ja vendosi ta bllokonte Prishtinën.
Pos të tjerash, i pari i LDK-së thotë se Prishtina nuk po kërkon paratë e Qeverisë, andaj dhe nuk kërkohet asnjë votim në Kuvend.
Po ashtu, Abdixhiku deklaroi se pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij.
Reagimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:
Kur bllokada 10-mujore e shtetit mori fund, vendosën të bllokojnë Prishtinën. Sepse nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë!
Dhe ja ku jemi sot, pa transport publik në Kryeqytet; me punëtorë pa paga e në protestë; me qytetarët në pritje nëpër stacione; dhe me një pushtet arrogant që në vend të arsyes vazhdon të ushtrojë hakmarrje politike ndaj Prishtinës duke akuzuar secilin tjetër. Dhe ky është vetëm fillimi. Bllokada e Prishtinës rrezikon tutje shkolla, qendra mjekësore, shërbime bazike për njerëzit e këtij vendi.
Populistët nuk duan ta kuptojnë se kur bllokojnë buxhetin e kryeqytetit, nuk e bllokojnë LDK-në. E bllokojnë jetën e qytetarëve të vet. E bllokojnë mësimin e fëmijëve, punën e prindërve, ekonominë e Prishtinës; kryeqendrën e vet shtetit. Dhe kur këta fshihen pas justifikimeve burokratike, atëherë secili e ka të qartë se problemi nuk është më tek procedura, por tek vullneti politik që këta nuk e kanë. Pra nuk është te ligji, por te mllefi. Nuk është te mirëkuptimi, por tek arroganca.
Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në Kuvend. Prishtina i kërkon paratë e veta; plot 35 milionë euro taksa komunale e grant, që i janë plaçkitur nga bllokuesit për hakmarrje të pastër politike. Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë. Fundja, me cilin votim në Kuvend, i ndanë këta nga 100 euro për studentë dy ditë para zgjedhjeve? Si është e mundur që për blerje votash e dhënie vitrash nuk paska nevojë për votime nga ne; por ja që për paratë e Prishtinës, ato që i mbledhë Kryeqyteti vet, paska tani një procedurë që po varej nga ne?!
Prishtina ka folur një herë. Do të flasë sërish.
Por deri atëherë - le ta dijë secili - se pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij që ka humbur kontaktin me qytetin, me realitetin dhe me detyrimin e tij më bazik: t’i shërbejë njerëzve, jo t’i ndëshkojë ata.
Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër.
Këto janë lëvizjet e fundit të një pushteti në rënie. /Zëri