Kurti mbajti fjalim në Vatikan, ambasadori Miftari reagon ndaj tij për organizimin e vizitës
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mbajtur mbrëmë një fjalim të veçantë në bazilikën Santa Maria in Aracoeli, ku Filarmonia dhe Kori i Operës së Kosovës interpretuan oratorion La tempesta sul lago të kardinal Domenico Bartoluccit.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë historike të muzikës në Kosovë dhe kontributin e figurave të njohura si Niketë Dardani, Lorenc Antoni dhe Shën Tereza e Kalkutës në traditën muzikore të vendit.
“Është një nder i madh të jem këtu sonte, në një vend ku muzika e shenjtë ka formësuar jetën shpirtërore dhe artistike të botës për shekuj me radhë. Në Vatikan, përmes Korit të Kapelës Sistine dhe trashëgimisë së kompozitorëve si Palestrina, Allegri dhe Kardinal Domenico Bartolucci, muzika ka shërbyer prej kohësh si një formë lutjeje, përsiatjeje dhe përkushtimi”, deklaroi Kurti.
Pas këtij aktiviteti, Vehbi Miftari, shefi i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, ka reaguar duke pyetur kryeministrin për mënyrën e organizimit të vizitës.
“Ishit në Vatikan? Po Misioni i Kosovës në Vatikan ishte aty, siç kërkon praktika diplomatike e sjellja shtetërore? E kishit vënë në dijeni? Kush u mor me organizimin nëse jo misioni juaj në shtetin e Vatikanit?”, i ka komentuar Miftari, Kurtit në postimin e bërë në Facebook.
