Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026
Foto: Laura Hasani

Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026

Aktuale November 24, 2025 - 16:07

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme, e cila do të zhvillohet të enjten, më 27 nëntor, me dy pika kryesore në rend dite: bartja e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe buxheti i Komunës për vitin 2026.

Nga Zyra Ligjore e Komunës, Osman Bllaca ka deklaruar se anëtarët aktualë të Kuvendit Komunal vazhdojnë të jenë në fuqi deri në momentin kur të betohen anëtarët e rinj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar të premten e kaluar rezultatet për përbërjen e re të Asamblesë së Prishtinës, megjithatë asamblistët e rinj ende nuk janë betuar, gjë që e bën të domosdoshme që seanca e radhës të mbahet me përbërjen aktuale.

Seanca e 27 nëntorit pritet të jetë vendimtare për finalizimin e procedurave buxhetore dhe për mbylljen e vitit fiskal të Komunës së Prishtinës.