Murati: Buxheti i Prishtinës po përdoret për qëllime elektorale
Foto: Laura Hasani

Murati: Buxheti i Prishtinës po përdoret për qëllime elektorale

Aktuale November 24, 2025 - 18:02

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar sot se buxheti i Komunës së Prishtinës po keqpërdoret për qëllime elektorale nga LDK-ja.

Gjatë një konferencë për media, ai tha se kryeqyteti ka funksionuar me vetëm 1/12 e buxhetit emergjent, duke akuzuar partitë opozitare për sabotim të shërbimeve publike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, në mungesë të kauzave të vërteta politike, ka vendosur të sabotojë, të marrë peng qytetarët e Prishtinës dhe të mbajë peng qytetin e Prishtinës, duke bërë betejën politike në kurriz të tyre. Nuk besoj se kanë kaluar dy javë prej kur nga kryetari i Komunës së Prishtinës dëgjonim se si do të transformohet trafiku urban, ndërsa tani nga transformimi kemi kaluar në ‘bankrotim’; po shihet qartë se po shtohet kjo propagandë që po bëhet. Në mungesë të kauzave politike kjo po keqpërdoret, madje po shfrytëzohet në kurriz të qytetarëve duke u mohuar atyre shërbime publike, vetëm e vetëm që të fajësohet qeveria apo Ministria e Financave,” tha Murati.

Ministri gjithashtu bëri thirrje për një përgjegjësi më të madhe nga Komuna e Prishtinës, duke nënvizuar se qytetarët nuk duhet të jenë peng i përplasjes politike ndërmjet institucioneve.